Maqedonia nuk do të vendos masa për parandalimin e variantin indian të virusit

Maqedonia e Veriut nuk do të vendos masa parandaluese për përhapjen e mutacionit të virusit korona i cili është prezent në Indi. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe thotë se pengimi që ky mutacion të arrijë brenda shtetit tonë është i vështirë, marrë parasysh se i njëjti tashmë është prezent në disa shtete të Evropës. Sipas OBSH varianti i mutacionit të Indisë i quajtur ndryshe B 1.617 është detektuar në 17 shtete të botës. Vendet ku është zbuluar më shpesh janë India, SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Singaporti por raste ka edhe në Belgjikë, Zvicër, Greqi dhe Itali.

Nëse është zgjeruar nëpër vendet e Evropës dhe nuk ka asnjë ndryshim nëpër ato vende të BE-së atëherë shumë rëndë mund të pengohet përhapja tek ne. Edhe në këtë rast vjen në shprehje përgjegjësia e qytetarëve, cfarëdo të jetë mutacioni, sado që të jetë i transmetueshëm ky lloj i virusit. Tek ne nuk është detektuar asnjë formë tjetër e virusit përpos llojit britanik. Kështuqë mbeten në fuqi masat aktuale”, tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.

Ndërkohë vendi vazhdon të regjistrojë rënie të numrit të infeksioneve. Trendi i uljes vërehet edhe tek fëmijët.

Për momentin kemi rreth 15 fëmijë me 15 nëna të cilët janë pozitiv ndaj virusit, dhe në gjendje stabile. I trajtojmë për shkak të mos paraqitjes së ndonjë komplikimi të mundshëm. Një pjesë të tyre jemi duke i lëshuar nga Spitali dhe janë në gjendje stabile. Nuk kemi asnjë në rrezik për jetën dhe trendi i uljes së numrit vërehet edhe tek fëmijët”, deklaroi Aspazija Sofijanova, drejtore e Klinikës së Fëmijëve, Shkup.

Procesi i vaksinimit vazhdon të rrjedhë. Deri më tash janë vaksinuar rreth 56 mijë qytetarë. Mbi 207 mijë të tjerë janë paraqitur për tu vaksinuar. Në orët e hershme të mëngjësit të nesërm pritet të arrijnë 200 mijë vaksinat kineze, të cilat pritet ta rrisin dukshëm përqindjen e të imunizuarve. Procesi i vaksinimit me kinezet, do të zhvillohet në 6 qytete të vendit, si pika rajonale.