Islami drejt kreut të botës: Deri në vitin 2035 mund ta tejkalojë krishterimin për nga numri i besimtarëve

Islami mund të bëhet feja më e madhe në botë deri në vitin 2035, duke e tejkaluar krishterimin, sipas projeksioneve të reja demografike të publikuara nga Sky News, bazuar në hulumtimet e Qendrës Kërkimore Pew.

Sipas parashikimeve, deri në vitin 2035 bota mund të ketë rreth 2,57 miliardë myslimanë dhe 2,52 miliardë të krishterë.

Arsyeja kryesore e këtij ndryshimi është ritmi më i lartë i lindshmërisë në mesin e popullsisë myslimane. Sipas të dhënave për periudhën 2020–2025, gratë myslimane kanë mesatarisht 3,1 fëmijë, ndërsa gratë e krishtera 2,5.

Demografi Konrad Hackett thekson se ndryshimet demografike, veçanërisht lindshmëria, kanë ndikim shumë më të madh sesa konvertimet fetare.

Projeksionet parashikojnë se deri në vitin 2070 numri i myslimanëve mund të kalojë 3,6 miliardë, ndërsa ai i të krishterëve të mbetet nën tre miliardë.

Sipas këtyre vlerësimeve, nga viti 2020 deri në vitin 2070, popullsia myslimane në botë pritet të rritet për 80 për qind./MIA