Një vit në krye të Dibrës, Mela: Mbi 23 projekte të realizuara, ujë 24 orë brenda dy viteve

Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela duke folur për njëvjetorin e mandatit të tij në emisionin “Dialog te Lajmi”, ka prezantuar disa nga projektet e realizuara gjatë kësaj periudhe, duke veçuar investimet e financuara nga kredia hungareze si dhe planet për zhvillimin e mëtejshëm të komunës.

Mela e vlerësoi kredinë hungareze si një strategji të rëndësishme të pushtetit qendror, duke theksuar se ndikimi pozitiv i këtyre investimeve është evident edhe në komunat e tjera.

“Ky ka qenë një infuzion shumë i mirë dhe i prekshëm për të gjithë qytetarët. Kemi pasur më shumë se 23 projekte nga kredia hungareze në vlerë prej 2 milionë eurosh. Një nga projektet më të mëdha ka qenë hapja e bulevardit të ri”, deklaroi Mela.

Ai përmendi edhe përfundimin e një parkingu të ri në zonën qendrore të qytetit me kapacitet prej 220 veturash i cili është realizuar me mjete nga buxheti i komunës. Sipas tij, komuna ka hartuar edhe një listë projektesh të tjera që pritet të realizohen gjatë vitit 2027.

Një nga sfidat kryesore për Dibrën mbetet furnizimi me ujë të pijshëm. Mela tha se ky është një problem i trashëguar, ndërsa aktualisht po punohet intensivisht në përfundimin e dokumentacionit dhe projektimit për një zgjidhje afatgjate.

Ai shprehu optimizëm se brenda dy viteve mund të zgjidhet problemi i sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm.

“Dibra ka ujë të pijshëm për rreth 40 mijë banorë dhe gjatë sezonit të verës kemi mungesë të ujit të pijshëm dhe brenda dy vitesh do të zgjidhet përfundimisht sistemi i ujit të pijshëm”, tha Mela.