Teleferiku i Vodnos në Shkup pritet të nisë sërish punën nga mesi i dhjetorit, nëse përfundojnë me kohë punimet e rikonstruksionit dhe kontrollet e nevojshme të sigurisë.
Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, bëri të ditur se aktualisht po zhvillohet rikonstruksioni i plotë i teleferikut, përfshirë rinovimin e kabinave dhe zëvendësimin e motorit.
Sipas tij, gjatë inspektimit janë konstatuar mangësi serioze, të cilat ia atribuoi mungesës së serviseve të mëdha dhe mirëmbajtjes së rregullt nga udhëheqësit e mëparshëm.
Për shkak të gjendjes së konstatuar, teleferiku ishte nxjerrë jashtë funksionit për të garantuar sigurinë e udhëtarëve.
„Për mua, siguria e qytetarëve është mbi gjithçka. Këtu nuk ka kompromis!”, deklaroi Gjorgjievski.
Ai theksoi se pas përfundimit të punimeve dhe kontrolleve teknike e të sigurisë, teleferiku do të jetë sërish në dispozicion të shkupjanëve dhe vizitorëve të qytetit.





