Demant Publik:Lidhur me pretendimet e publikuara ndaj Forumit Rinor Islam – Shkup

DEMANT PUBLIK

Lidhur me pretendimet e publikuara ndaj Forumit Rinor Islam – Shkup

Forumi Rinor Islam – Shkup, duke u mbështetur në garancitë kushtetuese për mbrojtjen e dinjitetit, integritetit dhe reputacionit, përmes këtij demantimi publik u drejtohet të gjitha mediave, televizioneve, gazetave dhe portaleve që kanë publikuar pretendime lidhur me organizatën tonë.

Kërkojmë që ky demant të publikohet menjëherë dhe pa vonesë në të gjitha mediat që kanë transmetuar apo publikuar informacionet në fjalë, duke i kushtuar hapësirë dhe dukshmëri të njëjtë me atë që u është dhënë publikimeve fillestare, përfshirë titujt, njoftimet dhe materialet e prezantuara si “ekskluzive”.

Njëkohësisht, kërkojmë nga mediat përkatëse të publikojnë përgënjeshtrim dhe të na drejtojnë kërkimfalje publike për informacionet e pavërtetuara dhe pretendimet që cenojnë imazhin dhe reputacionin e Forumit Rinor Islam – Shkup. Kjo kërkesë mbështetet edhe në dispozitat e neneve 13 dhe 14 të Ligjit për përgjegjësinë civile për shpifje dhe fyerje.

Emri i Forumit Rinor Islam – Shkup është përfshirë në publikimet tuaja duke u bazuar në një artikull të pakonfirmuar dhe pa dëshmi konkrete që do t’i mbështesnin pretendimet e paraqitura. Një mënyrë e tillë e raportimit cenon integritetin, imazhin dhe reputacionin e një organizate që ndër vite ka ndërtuar identitetin e saj përmes punës, transparencës dhe veprimtarisë së vazhdueshme.

Theksojmë se publikimi i pretendimeve të pakonfirmuara, pa verifikim të burimeve dhe pa ofruar mundësinë për të dëgjuar edhe qëndrimin e palës së përmendur, është në kundërshtim me standardet profesionale dhe përgjegjësinë që duhet të karakterizojnë gazetarinë.

Në rast se këto publikime nuk tërhiqen dhe nuk korrigjohen, si dhe nëse nuk publikohet një kërkimfalje publike, Forumi Rinor Islam – Shkup do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme juridike ndaj çdo portali, gazete, televizioni apo mediumi tjetër që ka publikuar përmbajtje të tilla, përfshirë inicimin e procedurave gjyqësore për kompensimin e dëmit të shkaktuar.

Përgjegjësinë për vërtetësinë e këtyre pretendimeve do të duhet ta dëshmoni edhe para organeve kompetente të drejtësisë.

Reputacioni i një organizate nuk mund të njolloset përmes publikimeve të pakonfirmuara dhe pretendimeve pa fakte.

Forumi Rinor Islam – Shkup