Tetori i këtij viti në Maqedoninë e Veriut ishte më i ftohtë dhe dukshëm më i thatë se mesatarja shumëvjeçare, bëjnë të ditur të dhënat e Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM).
Temperatura mesatare mujore varionte nga 7,9 gradë Celsius në Mavrovë deri në 15,3 gradë në Gjevgjeli. Temperaturat më të larta u regjistruan më 10 tetor në Shtip, me 29,8 gradë, ndërsa më e ulëta ishte në Berovë, më 4 tetor, me -3,8 gradë Celsius.
Sipas DPHM-së, temperatura mesatare e tetorit ishte 0,7 gradë më e ulët se mesatarja për periudhën 1991–2020.
Edhe reshjet ishin dukshëm nën nivelin e zakonshëm. Gjatë muajit, ato varionin nga 13 milimetra në Shkup dhe Strumicë deri në 43 milimetra në Mavrovë. Sasia më e madhe e reshjeve brenda një dite u regjistrua më 23 tetor në Kriva Pallankë, me 18 milimetra.
Në nivel shtetëror, reshjet ishin 39 milimetra më të ulëta se mesatarja mujore, që përkthehet në një deficit prej 60 për qind.
Të dhënat tregojnë se tetori u karakterizua nga temperatura më të ulëta dhe mungesë e theksuar e reshjeve krahasuar me normat klimatike.



