Shkup, Tetovë dhe Kumanovë – Një aksion i madh policor është duke u zhvilluar mëngjesin e sotëm në disa qytete të Maqedonisë së Veriut. Sipas informacioneve jozyrtare, pjesëtarët e Departamentit për Krim të Organizuar pranë Byrosë për Siguri Publike (MPB) po kryejnë bastisje në mbi 10 lokacione në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë.
Nën hetim, sipas informacioneve fillestare, janë drejtues të një spitali privat dhe punonjës të Fondit për Sigurim Shëndetësor, të dyshuar për disa vepra penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës dhe autorizimeve zyrtare, punën e pandërgjegjshme në detyrë, mashtrimin dhe pastrimin e parave.
Sipas informacioneve jozyrtare, dëmi i shkaktuar buxhetit shtetëror tejkalon 1.5 milionë euro, ndërsa përfitimi i kundërligjshëm material i spitalit vlerësohet në rreth 4 milionë euro.
Të dëmtuar janë edhe një numër i madh pacientësh që janë trajtuar në këtë spital.
Në mesin e personave nën hetim, sipas titullit të raportimit, përmendet edhe një ish-drejtor i Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH).
Detaje të tjera nga aksioni pritet të bëhen publike gjatë ditës.



