Aksioni policor që po zhvillohet sot në disa lokacione në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë lidhet me dyshime për keqpërdorime financiare gjatë pagesës së shërbimeve shëndetësore në një institucion privat, mëson jozyrtarisht portali Skopje Info.
Sipas informacioneve të siguruara nga ky portal, hetimi ka të bëjë me dyshimet se disa shërbime shëndetësore janë faturuar dy herë – një herë nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor dhe më pas edhe nga pacientët, me çmime private.
Dyshimet lidhen me raste kur Fondi tashmë kishte mbuluar shpenzimet për paketa të caktuara shëndetësore, ndërsa pacientët, përveç bashkëpagesës së përcaktuar me ligj, dyshohet se kanë paguar edhe shuma shtesë.
Sipas informacioneve jozyrtare, hetimi përfshin transaksione financiare në vlerë prej mbi 260 milionë denarësh, përkatësisht më shumë se katër milionë euro.
Jozyrtarisht, bëhet fjalë për një spital privat të specializuar për sëmundjet e syve në Shkup, me investitorë turq, i cili funksionon që nga viti 2011. Në kohën e hapjes, ai ishte prezantuar si një nga investimet më të mëdha të huaja në sektorin e shëndetësisë. Spitali ka mbi 4.000 metra katrorë hapësirë dhe është i specializuar në shërbime oftalmologjike.
Në kuadër të hetimeve po kontrollohet edhe mënyra e evidentimit dhe përdorimit të mjeteve financiare në veprimtarinë e mëtejshme të spitalit, si dhe nëse një pjesë e tyre janë futur në qarkullimin e rregullt financiar dhe janë shpenzuar për qëllime të ndryshme afariste.
Aksioni policor përfshin kontrollin e dokumentacionit dhe të veprimtarisë financiare në disa lokacione. Hetimi duhet të përcaktojë nëse janë shkelur dispozitat ligjore dhe në çfarë përmasash.
Deri tani, institucionet kompetente nuk kanë dhënë informacione zyrtare për numrin e personave të përfshirë apo për veprat e mundshme penale për të cilat mund të ngrihen kallëzime.
Më shumë hollësi priten pas përfundimit të aksionit policor dhe publikimit të njoftimit zyrtar nga institucionet përkatëse.





