Maqedonia po mbetet pa fëmijë: Shkupi kryeson, Lindja në alarm me vetëm 1,16 lindje për grua

Shkupi ka shkallën më të lartë të fertilitetit në Maqedoninë e Veriut, ndërsa Rajoni Lindor regjistron treguesit më të ulët. Sipas të dhënave të Eurostatit, dallimet mes rajoneve janë të theksuara.

Shkalla e fertilitetit në vend është 1,35 fëmijë të lindur gjallë për grua, pothuajse e njëjtë me mesataren e Bashkimit Evropian, e cila në vitin 2024 ra në 1,34 – niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Rajoni i Shkupit kryeson me 1,73 fëmijë për grua. Mbi mesataren shtetërore janë edhe Rajoni Verilindor me 1,40 dhe ai i Pellagonisë me 1,36.

Në fund të listës është Rajoni Lindor, me vetëm 1,16 fëmijë për grua. Në Rajonin e Pollogut dhe atë Jugperëndimor shkalla është 1,27, në atë Juglindor 1,30, ndërsa në Rajonin e Vardarit 1,31.

Për ripërtëritjen natyrore të popullsisë, në kushte të vdekshmërisë së ulët, nevojitet një shkallë fertiliteti prej rreth 2,10 fëmijësh për grua. Maqedonia e Veriut, sikurse edhe BE-ja, mbetet dukshëm nën këtë nivel.

Tregues të ulët të fertilitetit regjistrohen edhe në disa rajone të Spanjës dhe Italisë, ku numri i fëmijëve të lindur gjallë është më pak se një për grua.