Fejzi HAJDARI
Tetë vjet vonesa shiten si sukses, ndërsa për një segment tjetër premtohen edhe katër vjet pritje!
Në Maqedoninë e Veriut, duket se infrastruktura nuk matet më me kilometra të përfunduar, por me ceremoni, premtime dhe shirita të prerë para kamerave. Korridori 8 është shembulli më domethënës i kësaj politike të afateve që shtyhen, projekteve që zvarriten dhe sukseseve që shpallen para se qytetarët t’i shohin rezultatet.
Autostrada Kërçovë–Ohër duhej të përfundonte në vitin 2018. Ky ishte afati i shpallur fillimisht. Por viti 2018 kaloi, pastaj 2021-shi, dhe tani përfundimi i plotë është paralajmëruar për vitin 2027. Ndërkohë, më 12 tetor 2026, nisja zyrtare e punimeve në segmentin Bukojçan–Kërçovë paraqitet si një tjetër arritje e madhe. Për 11,5 kilometra rrugë, qytetarëve u kërkohet të presin edhe katër vjet të tjera.
Pra, në vend që të kërkohet llogari për afatet e humbura, fillimi i punimeve shitet si sukses, sikur projekti të mos ishte pjesë e një korridori strategjik që duhej të ishte në një fazë krejt tjetër realizimi.
Dhe pyetja është e thjeshtë: si mund të flitet për sukses kur pas kaq shumë vitesh ende po festohet fillimi i punimeve, ndërsa data e përfundimit mbetet disa vite larg?
Për krahasim, Kosova e ndërtoi autostradën “Arbër Xhaferi”, me gjatësi prej 65 kilometrash, dhe e hapi plotësisht për qarkullim në maj të vitit 2019, pas nisjes së punimeve në vitin 2014. Një autostradë e tërë, me ura e tunele, u realizua brenda rreth pesë vjetësh. Ndërkaq, në Maqedoninë e Veriut, Korridori 8 vazhdon të na prezantohet me segmente të reja, afate të reja dhe ceremoni të reja.
Natyrisht, segmentet nuk janë identike për nga terreni, projektimi dhe procedurat. Por pikërisht për këtë arsye projektet serioze kërkojnë planifikim të saktë, shpronësim në kohë, dokumentacion teknik të përfunduar dhe përgjegjësi institucionale. Vështirësitë nuk mund të shërbejnë pafundësisht si alibi për çdo afat të humbur.
Ndërkohë, segmenti Tetovë–Gostivar–Bukojçan ka afat të zgjatur deri në fund të vitit 2029. Kjo do të thotë se edhe lidhja rrugore nga Tetova drejt Kërçovës vazhdon të mbetet projekt në realizim, ndërsa qytetarët dëgjojnë përditë deklarata për përparim dhe zhvillim.
Korridori 8 nuk është pronë e asnjë qeverie dhe as dekor elektoral i asnjë partie. Është projekt strategjik për ekonominë, tregtinë, lëvizjen e qytetarëve dhe lidhjen e vendit me Shqipërinë e Bullgarinë. Ai duhet të jetë interes shtetëror, jo instrument propagande për pushtetin e radhës.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë sa para janë shpenzuar, cilat afate janë shkelur, kush mban përgjegjësi për vonesat dhe kur do të përfundojë realisht secili segment. Jo kur do të organizohet ceremonia e radhës, por kur do të mund të udhëtojnë në një korridor të përfunduar.
Sepse një autostradë nuk ndërtohet me fjalime, fotografi dhe shirita. Ndërtohet me punë, afate të respektuara dhe përgjegjësi publike.
Deri atëherë, Korridori 8 mbetet monument i premtimeve të shtyra: një projekt që duhej të ecte përpara, por që vazhdon të ecë nga një afat i humbur te një ceremoni e re.



