Demagogjia e ndryshimit dhe një premtimi i pambajtur!

Shkruan: Medai Shaholli

Tashmë kanë kaluar më shume se dy vjet nga premtimi i madh për ndryshime në “državën e Severnistanit” nga vredistët entuziastë si fillestarë të një subjekti politik me disa subjekte brenda jetën politike të këtij vendi të çudirave dhe si anëtarë të rinj të qeverisë së koalicionit, ku edhe pas dy vitesh premtimi për shlyerjen e nofkës së denigrimit të gjuhës shqipe si gjuhë e 20%, ngeli një premtim i pambajtur si një letër e zverdhur në sirtarët e VREDI-t.

Premtimet e vredistëve ishin trimëruese para hyrjes në qeverinë e koalicionit, ku ata u zotuan se nëse brenda 6 muajve ( Ju kujtohen deklaratat e guximshme të Bilit në TV21 ) nuk do të bëheshin ndryshimet kushtetuese ata do të dilnin nga koalicioni qeverisës.

Pas dy vitesh qeverisje kryekomiti Micko nuk ka ndërmend as t’i hap ndryshimet kushtetuese si kusht për vazhdimin e negociatave me BE, e lëre më t’i plotësoj kushtet e shfalerkave të tij në bordellon qeveritare.

Ato kushte tashmë janë djegur nga kryekomiti Micko dhe nuk përbëjnë më temën e ditës, kushte për të cilat vredistët u mburrën se do t’i realizonin brenda 6 muajve të bashkëqeverisjes me komitët, por që nuk ia dolën pasi shefi i tyre nuk do t’ia di për kërkesat e leshkove vredistë.

Ladutëria për një çik pushtet dhe për para, bëri që kushtet e parashtruara për ndryshim para hyrjes në koalicionin qeveritar të mbetet një ëndërr e parealizuar e premtimit të tyre para shqiptarëve si partia e re e vizionit për ndryshim.

Kësisoj, që ditën e parë të hyrjes së vredistëve në qeverinë e koalicionit kryekomiti Micko, ia tregoi vendin atyre duke ia djegur letrat në dorë me kushtet për ndryshim për t’ia bërë të qartë se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese derisa në krye të qeverisë do të jetë ai.

Ndryshimi dhe shlyerja e 20% nuk ndodhën jo për dy vjet, por as për 4 vjet nuk do të ndodhin, për faktin e thjesht se VREDI e kishte farsë sajesën për ndryshim dhe kushtin për shlyerjes së nofkës së 20%.

Lolot e VREDI-t tashmë jo vetëm që nuk sollën ndryshimin për shqiptarët, por bënë kthesën e madhe prapakthehu.
Gjuha shqipe, që prej dy vitesh po gjen përdorim të kufizuar nëpër komunat me shumicë shqiptare sipas urdhërave të despotit Micko.

A ishte ky ndryshimi që premtoi VREDI apo ishte loja e madhe për t’u bërë lakenjt e radhës të pushtetit për ca kocka të mbetura të darkave qeveritare?!

Ndërsa gjuha shqipe vazhdon të mbetet në kushtetutë si gjuhë e bashkësisë së 20% si “peshqesh” edhe i partiçkave tona politike, për vredistët ajo sot nuk është më pjesë e agjendës së tyre, por përkundraz ata janë nënshtruar servilizmit të paparë ndaj shefit të tyre Micko, për çdo veprim dhe qëndrim të politikave antishqiptare të zbatuara deri me sot ndaj shqiptarëve.

Ndaj, zotërinj vredistë, na thoni shkoqur: Cilat premtime tuaja janë realizuar në këto vite të bashkëqeverisjes suaj me komitët?
Pothuajse asnjë!
Përfundimisht, bashkë me premtimet për ndryshim, ranë edhe maskat e patriotizmit fals!
Kurvërisë dhe lojërave të ndyra të teatrit politik nuk i shpëtoi dot as VREDI.