Kroati ortodoks me origjinë serbe: “E mbrojta Vukovarin sepse ishte sulmuar. Nuk jam penduar kurrë”

Zhelko Iliq (Željko Ilić), banor i lindur në Vukovar, me origjinë serbe, ishte një nga mbrojtësit që në vitin 1991 vendosën të qëndronin dhe ta mbronin qytetin e tyre. Megjithëse ishte serb, ai iu bashkua forcave mbrojtëse kroate dhe qëndroi në vijën e parë të frontit deri në rënien e mbrojtjes së Vukovarit.

Gjatë luftës humbi prindërit, ndërsa pas kapjes kaloi nëntë muaj në kampet serbe të burgimit, ku iu nënshtrua keqtrajtimit të rëndë fizik dhe psikologjik.

Historinë e tij e rrëfeu në një intervistë për televizionin kroat HRT.

“Ju jeni të gjithë këtu, po vendi im ku është?”

Një nga bashkëluftëtarët e tij kujtoi momentin kur Iliqi, i njohur me nofkën Sheki, erdhi në pozicionin e tyre dhe vendosi t’u bashkohej.

“Në një moment, në pikën tonë erdhi Zhelko Iliq – Sheki, për të cilin e dija se ishte serb dhe se nuk kishte asnjë kroat në familjen e tij, as në rrethin e ngushtë dhe as në atë të gjerë. U habita pak, por i thashë se nuk kisha asgjë kundër dhe e pyeta nëse ishte i sigurt”, rrëfeu bashkëluftëtari.

Përgjigjen e Iliqit e mbante mend shumë mirë:

“Po ku të shkoj? Ju jeni të gjithë këtu, po vendi im ku është?”

Deri në rënien e mbrojtjes së Vukovarit, ai qëndroi në vijën e parë, me mbështetjen e prindërve. Mbronte pozicionin e njohur si “Baza Slon”, rreth 300 metra larg Borovo Sellos.

“Vukovarin e mbrojta sepse ishte sulmuar. Nuk jam penduar kurrë”

Iliqi shpjegoi se kishte lindur në Vukovar, në rrugën Vinogradska, ku jeton edhe sot.

“Unë jam Zhelko Iliq. Kam lindur në Vukovar, në rrugën Vinogradska. Këtu jam edhe sot. Për nga besimi jam ortodoks, ndërsa për nga kombësia kroat. Vukovarin e mbrojta sepse ishte sulmuar. Ishte zgjedhja ime dhe ashtu mbeti. Nuk jam penduar kurrë”, deklaroi ai.

Gjatë luftës, prindërit e tij humbën jetën në shtëpinë familjare. Pas rënies së mbrojtjes, ai u kap rob në kompleksin Borovo Komerc dhe më pas u dërgua në kampet e burgimit në Serbi.

Nëntë muaj në kampe, katër muaj e gjysmë në izolim

Iliqi tregoi se në robëri kaloi nëntë muaj, prej të cilëve katër muaj e gjysmë në izolim të vetmuar. Ai ishte mbajtur në kampet e Stajiqevës dhe Sremska Mitrovicës.

“Më thyen tetë brinjë, krahun, nofullën dhe shtyllën kurrizore, rruazën e katërt dhe të pestë”, rrëfeu ai për lëndimet që pësoi gjatë burgimit.

Sipas tij, pasojat e keqtrajtimit e kanë shoqëruar edhe dekada pas përfundimit të luftës.

“Është një barrë që e mban gjatë gjithë jetës. Nga izolimi i vetmuar nuk mund të shërohesh lehtë. Ishte shumë e vështirë. Dëgjoje gjithçka, shihje gjithçka. Rrihnin njerëz, dëgjoheshin përdhunime. Gjithçka dëgjohej gjatë natës”, kujtoi ai.

I pyetur nëse, si serb, kishte pasur ndonjë privilegj në kamp, ai u përgjigj:

“Nuk kisha absolutisht asnjë privilegj. Nuk kisha asnjë mik atje, përveç të burgosurve tanë. Askënd.”

“Ti mund ta harrosh luftën, por lufta nuk të ka harruar ty”

Iliqi pranoi se nuk është rikuperuar kurrë plotësisht nga traumat që përjetoi. Veçanërisht të rënda kanë mbetur pasojat e burgimit të gjatë dhe izolimit.

“Ti mund ta harrosh luftën, por lufta nuk të ka harruar ty”, tha ai.

Ai shtoi se edhe sot ka probleme me gjumin dhe se pa ilaçe e ka të vështirë të flejë.

Dëshmia e tij flet për vuajtjet e mbrojtësve të Vukovarit, por edhe për njerëzit që, pavarësisht origjinës kombëtare, vendosën ta mbronin qytetin ku jetonin.
(Index.hr / HRT)