ASH shpërthen pas vizitës së von der Leyen: Mjaft me pritje, ose vendime ose një tjetër vit i humbur!

Aleanca për Shqiptarët kërkon që Maqedonia e Veriut të shfrytëzojë momentumin e ri evropian dhe të mos humbë më kohë.

Pas vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Shkup, ASH thotë se mesazhi nga Brukseli është i qartë: vendi duhet të ndërmarrë hapin kyç për të zhbllokuar procesin eurointegrues.

Sipas partisë, për hapjen e klasterit të parë të negociatave mbetet si hap kyç miratimi i ndryshimeve kushtetuese. Von der Leyen gjithashtu e ka cilësuar këtë si hapin e nevojshëm për avancimin e procesit. (Euronews.rs⁠)

“Zgjidhja ekziston. Ajo që mungon është vullneti politik”, deklaron ASH.

Partia thekson se vendet e rajonit po avancojnë në rrugën drejt BE-së, ndërsa Maqedonia e Veriut rrezikon të humbasë edhe më shumë kohë nëse vazhdon me pritje.

ASH kërkon që dialogu me vendet fqinje të sjellë rezultate konkrete dhe që obligimet politike e institucionale të trajtohen me përgjegjësi.

“Qytetarët e këtij vendi kanë pritur mjaftueshëm”, thuhet në reagim.

Sipas ASH-së, pas zhbllokimit të procesit vendin e pret një plan i ri veprimi dhe një fazë e mëtejshme e negociatave. Për këtë arsye, partia kërkon që prioritet të jetë pikërisht tejkalimi i bllokadës.

“Maqedonia e Veriut nuk ka nevojë edhe për një vit të humbur. Ka nevojë për vendime, reforma dhe një perspektivë evropiane që më në fund të shndërrohet në proces real.”

Në përfundim, ASH e formulon mesazhin shkurt: “Evropa po lëviz. Rajoni po lëviz. Është koha të lëvizim edhe ne.”