Dokumente të falsifikuara për t’u paraqitur si italian, arrestohet 38-vjeçari në Qafë Thanë

Një shtetas i huaj, F.Sh. (38), është arrestuar në pikën kufitare “Qafë Thanë”, pasi gjatë tentimit për të dalë nga Maqedonia e Veriut ka paraqitur dokumente të falsifikuara.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, rasti ka ndodhur rreth orës 17:30, gjatë kontrollit kufitar. I dyshuari po udhëtonte me një automjet “Mercedes” me targa të Kumanovës dhe, sipas policisë, është paraqitur si shtetas italian.

Gjatë kontrollit janë konstatuar si të falsifikuara pasaporta, patenta e shoferit dhe letërnjoftimi.

Ndaj tij është ngritur kallëzim penal për falsifikim të dokumenteve, vepër e paraparë dhe e dënueshme sipas nenit 378 të Kodit Penal.