Tragjedi në rrugën Manastir–Prilep, humb jetën 17-vjeçarja

Një 17-vjeçare ka humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi dje në rrugën Manastir–Prilep, pranë vendit të quajtur “Tullana”.

Në aksident janë përfshirë një automjet “Opel”, i drejtuar nga një 28-vjeçar nga Kanatlarci, dhe një “Ford”, të cilin e drejtonte një 48-vjeçar nga Dollno Srpci.

Sipas MPB-së, 17-vjeçarja, pasagjere në “Opel”, ka ndërruar jetë në vendin e aksidentit. Vdekjen e ka konstatuar mjeku i Ndihmës së Shpejtë nga Manastiri.

Drejtuesi i “Opel”-it është dërguar në spital me lëndime të rënda trupore. Të njëjtat lëndime janë konstatuar edhe te një 44-vjeçare dhe një fëmijë shtatëvjeçar, pasagjerë në “Ford”.

Të lënduar ka edhe drejtuesi 48-vjeçar i “Ford”-it.

Ekipet e SPB Manastir kanë kryer ekspertizë në vendin e aksidentit, ndërsa hetimet për shkaqet e përplasjes vijojnë.