Të gatshëm për të luajtur rol konstruktiv në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare

Të mërkurën, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi zhvilloi bisedime në Pekin me homologun e tij iranian Abbas Araghchi.

Gjatë bisedimeve, Wang Yi u shpreh se aktualisht situata në Lindjen e Mesme mbetet e paqëndrueshme, duke ndikuar rëndë në paqen dhe zhvillimin ndërkombëtar. Si vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, Kina është e gatshme të luajë një rol konstruktiv për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare. Vazhdimi i konfliktit mes ShBA-së e Iranit nuk përputhet me interesat e përbashkëta të të dyja palëve dhe të bashkësisë ndërkombëtare, u shpreh kreu i diplomacisë kineze.

Më tej ai vuri në dukje që Kina i inkurajon Iranin dhe ShBA-në të ruajnë gjakftohtësinë dhe të rikthehen sa më parë në Memorandumin e Mirëkuptimit të Islamabadit, duke rivendosur mekanizmin e bisedimeve për të zhvilluar konsultime thelbësore për shqetësimet e njëri-tjetrit. Kina gjithashtu e mbështet Iranin në zhvillimin e dialogut me vendet e Gjirit, për të mbrojtur kështu së bashku interesat e përbashkët rajonalë në bazë të respektimit të sovranitetit territorial dhe të sigurisë kombëtare të njëri-tjetrit.

“Ne u kërkojmë palëve të ndryshme të marrin masa efektive për të rihapur sa më parë Ngushticën e Hormuzit, për të mbrojtur sigurinë e rrugëve ndërkombëtare të lundrimit detar dhe qëndrueshmërinë e transportit energjetik ndërkombëtar dhe të zinxhirëve prodhues e furnizues. Ne nuk duam të shohim që tensionet rajonale të përhapen më tej në Jemen e në Detin e Kuq dhe u bëjmë thirrjeve palëve përkatëse të ndalojnë acarimin e situatës dhe t’i zgjidhin problemet nëpërmjet dialogut e bisedimeve,” theksoi Wang Yi.

Nga ana e tij, Abbas Araghchi u shpreh se Teherani nuk dëshiron të shohë vazhdimin e konfliktit dhe shpreson rikthimin në rrugën e zgjidhjes diplomatike, duke mbrojtur në të njëjtën kohë me vendosmëri të drejtat dhe interesat e veta. Pala iraniane është e mendimit që Memorandumi i Mirëkuptimit Iran-ShBA është ende i efektshëm, theksoi Araghchi, duke shtuar që Irani ka arritur planin e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit me Omanin dhe pala amerikane duhet të respektojë premtimet e ndryshme të bëra. Irani është i gatshëm të zhvillojë dialog e konsultime me vendet rajonale për të zhvilluar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, duke nxitur rivendosjen sa më parë të paqes e të qetësisë në rajon, dhe pret që Kina të luajë një rol më të madh për paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale.

Të dy palët shkëmbyen mendime edhe për probleme të tjera ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët.