Vështrim mbi librin me poema “Dalje nga ëndrra” të Bilall Maliqit

(Recension – Prof.dr. Zejnepe Alili Rexhepi)

Vepra me poema “Dalje nga ëndrra”, e shkrimtarit Bilal Maliqi, është krijuar përmes vargëzimesh, tematika e të cilave e përshkon linjën e frymëzimit personal dhe shqetësimit nga aktualiteti i jetës. Kjo linjë ngrihet mbi reflekse të forta rebelimi drejt një mallkimi që në vargjet e para, gjegjësisht tek prologu, ku gjithçka fillon me nëmën – si rrjedhojë e dhimbjes që sjell koha, fati dhe njerëzit. E emërton: koha e keqe, pasi në vend që koha të sjellë shërim, shpresë, lumturi…, ajo lë pas vetëm gjurmë hidhërimi. Megjithatë, në fund të vargjeve shfaqet edhe një kundërvënie se, nga e keqja mund të lindë edhe diçka e mirë, por kjo dritë ende është larg, ndërkohë që “hendeqet” e krijuara lënë plagë dhe humbëtira brenda shpirtit.

Në fillim vendoset prologu, përmbajtja kuptimore e të cilit e krijon atmosferën e dhimbjes, humbjes dhe kujtesës, që në pjesët pasuese do të qartësohet si vetë rrjedha e jetës, si fati, si koha dhe perceptimi në kohë. Në pak vargje përshkruhet kjo gjendje:

 

E nisa këtë nëmë

Drejtuar kohës së keqe

Që ngado që mundet

Krijon veç hendeqe

 

“Dalje nga ëndrra” është një poemë e ndjerë në plotëninë e vet, e ndarë në dy pjesë, me një ndërthurrje përmbajtësore të ngjeshur, të vendosur midis antitezash kuptimore, si: “E keqja me të keqe” (cikli i parë) dhe “Pak dashuri” (cikli i dytë), të cilat përbëhen nga dhjetëra strofa e vargje, ku secila fillon me prolog e një titull të mbivendosur dhe mbyllet me epilog.

 

Kapitulli i parë, me titull “E keqja me të keqe” nis me Nëmë plot gjëmë, ku nota pesimizmi e anatemimi “përndjekin” gjurmë, këngë, vargje e nota pentagrami…, e gjithçka thuajse këndohet përmes ndjenjash trishtimi të përcjellë nën tingujt e sharkisë.

Bartja e nënshtresave: e keqja, nëma, trishtimi, dhimbja, vaji… vazhdon deri në kapitullin e dytë me titujt gjithëpërfshirës tematikë të pjesëve në vijim, filli i të cilave përveç me prologun “Nëmë” vazhdon edhe më tej me: “Të ziut”, “E keqja me të keqe” dhe “Falje s’ka”.

Në të gjitha poemat shprehen tone të thella trishtimi e vetmie: “Fijet e gjata të zisë / Kudo rriten e rriten / Pa asnjë rreze drite /Ato nuk do të priten. Një ndjesi e brendshme, e heshtur, si një përjetim që prek pasqyrohet përmes simboleve: telat e sharkisë, malli dhe pikëllimi… që bashkohen në vajin, ku dhimbja më nuk ka nevojë për fjalë. Ajo del nga thellësia e shpirtit dhe shpërndahet drejt tokës dhe vendit të përjetimit.

 

Poeti, me tërë qenien e tij, paralajmëron se shpresa e dikurshme është shuar: “Shpresës së vyshkur / Gjethet le t’i bien / Me tokën e zezë / Më shpejt të përzihen“, gjë që u jep vargjeve atë ndjenjën e zhgënjimit dhe humbjes. Sa e madhe është dhimbja dhe nëma e pakursyer, e shprehin vargjet: “I pikoftë e zeza / Në rrashtën e zezë / Si një gur nga qielli / Që të fitojmë pak liri”. Në tërësi, këto dy pjesë krijojnë një kalim nga dhimbja personale dhe e heshtur drejt dhimbjes së lidhur me tokën, kujtesën dhe shpresën e humbur, ku mundësitë e zgjidhjes janë të pakta, apo tërësisht të munguara: „Ajo portë (të) duket e vogël / Sikur vrimë e miut…“

Përvijimi i dhimbjes, jo vetëm individuale, por që ngrihet dhe i kaplon shkallët e shoqërisë e gjithashtu e shqetëson shkrimtarin është lëvizja e njeriut si në rrathët e Dantes, ku pendesë, katarzë e as keqardhje s’ka. Sipas tij, ky është epilogu i shoqërisë pa rregulla e ndërgjegje, kur forca e pushtetit dhe ligësia ecin bashkë drejt linjave të jetës së shumëkujt dhe përshkojnë linja fatesh të trishtueshme. Epilogu është përmbyllja e ciklit të parë të poemave.

 

Epilog

 

Tani (më në fund)

Koha- kohës

Ia zbuloi portretin e shëmtisë

Njëjtë siç ia hoqi të keqit

Maskën e (para)fundit

Që (dikur) para hijeve dukej

Si një engjëll

(Tani) me pamje satani

E për të falja

Ngelet e pa falur

Si një gjurmë e pashlyeshme

Nëpër korsinë e gjerë

Të  tej-jetësisë

 

Në ciklin e dytë, të titulluar “Pak dashuri”, ndihet një kthesë emocionale, ku ndjesia është ndryshe nga pjesa “Nëmë”. Madje, këtu kemi më shumë mall, ëndërr, dashuri, e përmes tyre edhe dhimbja bëhet më e butë. Janë ndjesi këto, që e portretizojnë kthesën njerëzore dhe shpirtin e tij, jo hakmarrës, por të dëlirë.

Prologu e hap poemën me shfaqjen e së dashurës në faqet e ëndrrës. Ajo vjen si dritë e hënës, me fytyrën e Eratës dhe më pas zhduket, duke e lënë poetin të vargëzojë mallin për të.

Në pjesët në vijim, figura e saj idealizohet, duke u bërë këngë, varg, ëndërr dhe lot. Pra, nuk është thjeshtë një person i imagjinuar, por pjesë e botës së tij shpirtërore. Pastaj, ajo shndërrohet në kujtim, ku portreti i saj bëhet më i gjallë dhe më emocional. Poeti e përfytyron atë në mes të natyrës, të skicuar në një tablo romantike, me elemente përshkruese si liqeni i turbulluar, buzëqeshja dhe butësia që krijojnë kontrast të bukur mes trazimit të brendshëm dhe peshës së kujtimit.

Në përgjithësi, vargjet e përshkruajnë dashurinë e mbetur në ëndërr e kujtime, ku prania e saj është e bukur, por edhe e paarritshme: “Je kënga ime / E pakënduar / Je vargu i (pa)lexuar / Ëndrra ime e pa parë / Je loti im i pa tharë”. Dhimbje këtu nuk shpërthen si në pjesën e parë, por shfaqet e butë, përmes mallit dhe përfytyrimit. Herë-herë ajo bredh nëpër dëshirat e poetit, derisa ndalon e vendoset në zemrën e tij të përflakur nga zjarri i mallit që djeg për mungesën e gjatë, por qëndron aty tok me ngrohtësinë.

Emërtimet e prologëve: “Pak dashuri”;“Dalje nga ëndrra”; “”Andej portës”; “Në vijën e mallëngjimit” janë ndjesitë e poetit, që tani flet më qetë, më arsyeshëm, ndonëse zjarri brenda tij është ai që i jep kahe ëndrrës, teksa shkruan:

 

Ece nëpër dëshirat e mia

Deri sa gjete vend

Në timen zemër të zjarrosur

E më the:

Këtu do të qëndroj

Tok me ngrohtësinë

E munguar…

 

Në këtë cikël vërehet përmbyllja e bukur, ku fillimi dhe fundi komunikojnë me njëri-tjetrin përmes shpresës, mallit dhe takimit, duke e rikrijuar ngrohtësinë e munguar në shpirtin e poetit, ku fshehurazi zbresin muzat dhe netëve pa gjumë ia hapin portën e ëndrrave. Vargjet: Malli me mallëngjim / Kujtimi me kujtim / Shpresa me shpresë… e mbledhin në pak fjalë gjithë përvojën shpirtërore. Ndërsa, “Pika mbetet pikë / Në mes të kufirit” sjell një ndjesi pezullimi, sikur diçka mbetet e papërfunduar, por jo tërësisht e humbur.

I veçantë është kalimi: “Në mes të kufirit / Të shpirtit”, sepse kufiri këtu nuk duket si prerje e patjetërsueshme, por si kufi mes kujtimit dhe harresës, mes humbjes dhe shpresës, mes ëndrrës dhe realitetit.

Epilogu e zbut gjithë dhimbjen. Ajo që gjatë ciklit ka qenë mall e pritje, tani shndërrohet në një lloj shprese të qetë: “Ku kalimet janë shpresë / Mbi ne dhe në ne / për ta mbarruar ëndrrën…”. Kështu, cikli nuk përfundon me humbje, por me mundësinë e përmbushjes së ëndrrës.

Vargu i fundit: “Nëpër vijën e mallëngjimit”, është emblematik, pasi nuk e zhduk mallin, përkundrazi e lë atë si gjurmën që i bashkon të gjitha, si zërin unik në të cilin mblidhet tërë shpresa e rikthimit. Andaj, e fton atë të fluturojë si engjëll i bardhë mbi murin e ngritur të mallëngjimit. Atëherë, një përqafim e një serenatë si e Betovenit, ngjizet brenda tyre si një lule malli.

Struktura emocionale në këto poema është: ëndërr, kujtim, mall, dhimbje, shpresë, një takim i ëndërruar…, që të lë të kuptosh se ndonjëherë, ajo që humbet në jetë, mbetet përgjithmonë e gjallë në shpirt. Qetësia interpretuese e autorit, me të cilën radhiten vargjet – si gjetje kulmore, shënon një mbyllje të matur, të mirëmenduar, por pa e mbyllur krejtësisht portën e ëndrrës. Referuar thënies së Aristotelit “Shpresa është një ëndërr me sy hapur”, na shpie në logjikën se ajo që ka kaluar, nuk është më e prekshme, por vazhdon të jetojë brenda nesh, siç thuhet, nuk ka vend për humbëtirë gjumi, as për shpresën e fjetur.

Poeti Bilal Maliqi dhe përkushtimi i tij në krijimin e vargjeve të kësaj vepre poemash dëshmon se dashuria, kujtimi dhe shpresa mbijetojnë edhe përtej kohës, humbjes e mallëngjimit dhe se çdo mallkim, hakmarrje apo urrejtje mposhtet vetëm me dashuri. Edhe kur gjithçka shuhet, dashuria është ajo që mbetet si gjurma më e thellë e shpirtit.

Ky libër paraqet një udhëpërshkrim ndjenjash, fatesh dhe të vërtetash që përjetohen thellë, e mbi to thuren vargje përtejkohe!