Stoilkoviqi madhështoi kriminelin Mlladiq, LSDM: Prokuroria dhe institucionet pse po heshtin

LSDM përmes një komunikate theksoi se “në vend të Evropës, demokracisë dhe prosperitetit, po fitojmë ministra në Qeverinë e Mickoskit të cilët e madhërojnë kriminelin e dënuar të luftës Ratko Mladiq.”

“Dhe ky nuk është vetëm edhe një skandal tjetër. Nga “bota serbe” dhe Vuçiqi, përmes ndikimeve ruse dhe entuziazmit për Kinën, deri te krijimi i ndarjeve dhe tensioneve etnike, e gjithë kjo përshtatet në një matricë më të gjerë politike për të cilën paralajmërojmë prej kohësh.
Por, kësaj radhe ekziston edhe diçka shumë më serioze – Kodi Penal. Neni 407-a sanksionon miratimin ose arsyetimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës. Neni 319 sanksionon nxitjen ose ndezjen e urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit kombëtar, racor ose fetar.
Kurse Kushtetuta dhe Ligji për partitë politike vendosin një kufi të qartë edhe për veprimin e partive politike. Domethënë, ligji ekziston. Veprat penale ekzistojnë. Prokuroria ekziston. Çfarë po pritet? Një thirrje nga Mickoski?”, reagon Keti Shterjova nga LSDM.

Sipas saj, Ivan Stoilkoviqi është ministër në Qeveri dhe kryetar i Partisë Demokratike të Serbisë. Dalibor Kitanoviqi është drejtor i Agjencisë për Realizimin e Drejtave të Bashkësive.
Mickoski duhet të përgjigjet: a ka vend në Qeverinë e tij për funkcionerë të cilët madhërojnë ose arsyetojnë kriminelë të dënuar lufte?

“Kurse Prokuroria Publike duhet të vërtetojë nëse në rastin konkret ekzistojnë elemente të veprës penale. Përgjegjësia politike është një gjë. Përgjegjësia penale është diçka krejt tjetër. Institucionet duhet të tregojnë se ligjet vlejnë për të gjithë, madje edhe për ata në pushtet. Kjo nuk është çështje politike. Kjo është çështje e sundimit të së drejtës”, theksoi në një konferencë për shtyp të LSDM-së, Keti Shterjova.(INA)