Turqia arkëton mbi një miliard dollarë në vit nga serialet

Vendi është ndër tre eksportuesit më të mëdhenj të serialeve në botë
Një miliard njerëz në 170 shtete shikojnë seriale turke, u theksua në ngjarjen “Historia globale e markës turke – serialet televizive turke”.

Përfaqësues të qeverisë dhe të industrisë së filmit mbrëmë në Stamboll morën pjesë në një ngjarje kushtuar kontributit të serialeve televizive turke në imazhin e Turqisë në botë.

Në ngjarjen “Historia globale e markës turke – serialet televizive turke” u theksua se një miliard njerëz në 170 shtete shikojnë seriale turke.

– Turqia është ndër tre eksportuesit më të mëdhenj të serialeve televizive në botë – deklaroi kreu i Drejtorisë së Komunikimeve, Burhanetin Duran.

Ai shtoi se eksporti i serialeve turke në tregjet e huaja në fillim të viteve 2000 ishte rreth 10 milionë dollarë, ndërsa sot tejkalon një miliard dollarë.

– Rritja ndërkombëtare e serialeve turke nuk është një projekt për hegjemoninë kulturore, por pasqyron aftësinë e Turqisë për të krijuar historitë e veta dhe për t’ua prezantuar ato shoqërive të ndryshme – theksoi Duran.

Ministri i Kulturës, Mehmet Nuri Ersoj, vuri në dukje se serialet turke e rrisin interesimin për Turqinë.

Sipas tij, serialet turke janë bërë një avantazh strategjik, rëndësia e të cilit e tejkalon shumë vlerën e tyre ekonomike, pasi rrisin interesimin për gjuhën turke, kulturën, gastronominë dhe destinacionet turistike. (plusinfo.mk)