Prodhuesit e ajvarit kërkojnë respektimin e çmimeve

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, u takua në Strumicë me prodhuesit e specit për ajvar, të cilët shprehën shqetësime për grumbullimin dhe plasmanin e prodhimeve. Sipas marrëveshjes së 13 gushtit, çmimi për specin e klasit të parë është 40 denarë për kilogram, për klasën e parë-dytë dhe atë industriale 30 denarë, ndërsa për mbetjet 15 denarë për kilogram. Prodhuesit thanë se në disa pika nuk po respektohen çmimet e dakorduara. Ministri paralajmëroi kontrolle shtesë te grumbulluesit dhe përpunuesit, ndërsa Inspektorati thotë se deri tani nuk ka konstatuar parregullsi.

“Nuk është mirë që i njëjti problem të përsëritet çdo vit. Edhe pse varemi edhe nga lëvizjet në tregjet e huaja, duhet të rregullojmë atë që është në kuadër të mundësive tona. Vetëm në këtë mënyrë bujqit do të kenë më shumë siguri, ndërsa prodhimi do të zhvillohet në drejtim të cilësisë më të lartë dhe konkurrueshmërisë më të madhe”, tha Borçe Serafimovski.