Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Marina e SHBA-ve kanë hequr ose shkatërruar të gjitha minat në ngushticën e Hormuzit dhe paralajmëroi Iranin se çdo anije që do të vendosë mina të reja do të shkatërrohet menjëherë.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Marina amerikane ka përfunduar operacionin për heqjen ose shpërthimin e të gjitha minave në ngushticën e Hormuzit, një prej korridoreve detare më të rëndësishme për tregtinë globale të energjisë.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump tha se Irani është paralajmëruar se çdo anije apo mjet lundrues që vendos mina të reja në ngushticë do të shkatërrohet “menjëherë dhe në mënyrë sistematike”.
Deri tani, Teherani nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratës së presidentit amerikan.
Mbyllja e pjesës më të madhe të ngushticës nga Irani ka shkaktuar luhatje të forta të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Para nisjes së konfliktit, rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë transportohej përmes kësaj rruge detare.
Trump ka deklaruar vazhdimisht se SHBA-të kanë kontrollin e zonës, ndërsa Irani ka hapur zjarr ndaj disa anijeve, duke pretenduar se ato kanë tentuar të kalojnë nëpër ngushticë pa lejen e Teheranit.
Konflikti nisi më 28 shkurt me sulme ajrore amerikane dhe izraelite ndaj Iranit. Teherani u kundërpërgjigj me sulme ndaj Izraelit, bazave amerikane në rajon dhe aleatëve arabë të Uashingtonit në Gjirin Persik.
Një armëpushim i ndërmjetësuar për të krijuar kushtet për negociata ka dështuar, ndërsa përplasjet mes SHBA-ve dhe Iranit kanë vijuar në mënyrë periodike.
Në të njëjtën kohë, Uashingtoni ka njoftuar një paketë të re sanksionesh ekonomike ndaj Iranit.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, paralajmëroi se çdo shtet që bashkëpunon financiarisht me Iranin do të përballet me izolim.
Në qershor, SHBA-të dhe Irani kishin nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me 14 pika, që parashikonte 60 ditë për arritjen e një marrëveshjeje mbi ngushticën e Hormuzit dhe më pas nisjen e negociatave për çështjen bërthamore.
Afati tashmë ka skaduar dhe negociatat janë ndërprerë.
Trump beson se presioni ekonomik mund të çojë në rrëzimin e regjimit iranian. Nga ana tjetër, ministri iranian i Ekonomisë, Ali Madanizadeh, tha se Teherani është “plotësisht i përgatitur” për sanksionet e reja dhe se ato do të rezultojnë në “një tjetër humbje” për SHBA-në.
Kina, blerësi më i madh i naftës iraniane, ka kundërshtuar sanksionet e reja amerikane.
Pekini i ka cilësuar ato si “sanksione të paligjshme të njëanshme” dhe ka deklaruar se do të marrë “të gjitha masat e nevojshme” për të mbrojtur interesat e veta.
Zhvillimet vijnë përpara një takimi të planifikuar mes Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping muajin e ardhshëm.
Përplasja mes Uashingtonit dhe Pekinit mund të ketë pasoja të mëtejshme ekonomike, veçanërisht për shkak të rolit dominues të Kinës në përpunimin e mineraleve të rralla, të cilat janë thelbësore për industrinë e teknologjisë së lartë.
Teherani ka sinjalizuar se kërkon kontroll të plotë mbi ngushticën e Hormuzit, një kërkesë që kundërshtohet nga SHBA-të dhe shumica e vendeve të tjera.
Uashingtoni dhe aleatët e tij e konsiderojnë ngushticën pjesë të ujërave ndërkombëtare dhe kërkojnë që trafiku detar të vijojë pa pengesa.
Deri së fundmi, Irani zhvillonte negociata me Omanin për krijimin e një mekanizmi të ri për administrimin e ngushticës. Bisedimet nuk kanë prodhuar ende një marrëveshje.
Trump ka kërcënuar madje me sulme ndaj Omanit nëse vendi ndërhyn në negociatat amerikano-iraniane.
Nuk dihet ende nëse bisedimet mes Iranit dhe Omanit do të vazhdojnë, ndërsa tensionet në rajon dhe përplasja mes Teheranit dhe Uashingtonit hyjnë në një fazë të re.
/tvklan.al



