Ibrahimi: Vërtet kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë

Zeqirija Ibrahimi ka reaguar lidhur me debatet e fundit për konvertimet fetare në Kosovë, duke theksuar se tema, përtej dimensionit religjioz, ka edhe një ndikim të rëndësishëm shoqëror e politik.

Ibrahimi vlerëson se secili individ ka të drejtë të zgjedhë dhe të ndryshojë besimin e tij, por apelon që konvertimet të mos shndërrohen në spektakël dhe të mos shoqërohen me deklarata që mund të ofendojnë besimtarët e feve të tjera.

Sipas tij, shprehje që paraqesin një fe si “fe të pushtuesve” apo një tjetër si fe të “prapambetjes” mund të thellojnë përçarjet ndër shqiptarë dhe të krijojnë tensione të panevojshme.

“Secili ka të drejtë të besojë në çfarë të dojë, ta ndërrojë fenë kur të dojë e sa herë të dojë”, shprehet Ibrahimi, duke nënvizuar se përkatësia fetare është çështje personale dhe duhet trajtuar me respekt dhe përgjegjësi.

Ai thekson gjithashtu se ndërtimi i objekteve fetare, qoftë xhami apo kishë, duhet të zhvillohet përmes institucioneve kompetente dhe në përputhje me ligjin. Sipas tij, sikurse myslimanët kanë të drejtë të kërkojnë ndërtimin e xhamive aty ku kanë nevojë, edhe besimtarët e feve të tjera duhet të kenë të njëjtën të drejtë, me vendimmarrjen përfundimtare që u takon institucioneve shtetërore.

Ibrahimi bëri thirrje për ruajtjen e bashkëjetesës dhe unitetit ndër shqiptarë, pavarësisht dallimeve fetare, duke theksuar se historia shqiptare njeh shembuj të shumtë të bashkëjetesës mes komuniteteve të ndryshme fetare.

Në fund, Ibrahimi e përmbylli reagimin me vargun e njohur të Gjergj Fishtës: “Vërtet kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë.”