Gazetari hulumtues kroat ftohet të dëshmojë në Prokurorinë e Bosnjës në rastin “Sarajevo Safari”

Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq, ka njoftuar se është ftuar nga Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës për të dhënë dëshmi në hetimet që lidhen me rastin e njohur si “Safari i Sarajevës”, një çështje për të cilën ai prej vitesh ka kërkuar hetim dhe ka publikuar vazhdimisht pretendime.

Në një reagim publik, Margetiq bëri të ditur se ka marrë ftesën zyrtare nga Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës për t’u paraqitur si dëshmitar në këtë rast.

Sipas tij, ftesa ka ardhur vetëm pak ditë pasi prokurorët e Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës morën pjesë në një takim të organizuar nga agjencia e Bashkimit Evropian, EUROJUST, ku u diskutua ecuria e hetimeve për rastin “Safari i Sarajevës”.

“Po e rikujtoj se kjo ftesë vjen vetëm disa ditë pasi prokurorët e Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës morën pjesë në takimin e EUROJUST-it për këtë çështje, duke e ngritur hetimin në nivel të Bashkimit Evropian. Menjëherë pas atij takimi, Prokuroria më ftoi të dëshmoj”, ka shkruar Margetiq.

Ai konfirmoi se do t’i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë dhe se do t’u dorëzojë hetuesve të gjithë dokumentacionin dhe provat që ka mbledhur lidhur me këtë rast.

“Sigurisht që do t’i përgjigjem ftesës dhe do të paraqes të gjitha provat që kam në dispozicion”, deklaroi ai.

Në fund të reagimit, Margetiq bëri edhe një deklaratë të fortë, duke pretenduar se nëse i ndodh diçka përpara se të japë dëshminë, përgjegjësia duhet të kërkohet te presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Nëse më ndodh diçka para se të dëshmoj, përgjegjësinë kërkojeni te kabineti i Aleksandar Vuçiqit në Andriqev Venac në Beograd”, ka deklaruar gazetari kroat.