Posta e Kosovës ka lansuar emisionin e ri të pullave postare kushtuar 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë një ceremonie ku zëvendësshefja e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, vlerësoi Kosovën për kuptimin e vlerës së sovranitetit dhe demokracisë. Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, konstatoi forcim partneriteti mes dy shteteve
Zëvendësshefja e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka thënë se Kosova e kupton vlerën e sovranitetit, demokracisë dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm. E ka theksuar këtë në ceremoninë që Posta e Kosovës e organizoi të premten, gjatë së cilës lansoi emisionin e pullave postare kushtuar 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Pranimimi i kësaj pulle nga Kosova sot përbën një nder për ne. Çdo shkronjë e cila gjendet aty përcjell një histori të lirisë dhe miqësisë mes nesh. Postës së Kosovës dua t’ju them se keni krijuar diçka që do të qëndrojë për shumë mot. Vite pas ditës së sotme, njerëzit, qytetarët do ta shikojnë këtë pullë postare dhe do ta kujtojnë që Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar së bashku për liri”, ka thënë Prattipati. “Si Amerikë, ndërsa po shënon 250-vjetorin e pavarësisë, ne e shpërfaqim mirënjohjen për aleatët tanë siç është Kosova, një komb i cili e kupton vlerën e sovranitetit, demokracisë dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm. Në emër të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan, ju falënderoj shumë për këtë nder dhe për miqësinë tuaj”.
E, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e cilësoi pullën postare si simbol të miqësisë dhe partneritetit të qëndrueshëm ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
“Përtej kësaj date të rëndësishme, kjo pullë shërben për një afirmim simbolik të partneritetit të fortë dhe raporteve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve tona. Mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën ka qenë vendimtare në proceset tona shtetndërtuese dhe në konsolidimin e institucioneve demokratike, dhe kjo përkrahje vazhdon të luajë një rol jetik në sigurinë dhe në zhvillimin e vendit tonë”, ka thënë Kurti. “Aleanca jonë, partneriteti midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vijojë të jetojë, po aq i fortë dhe i qëndrueshëm sikurse që është edhe sot”.
E, kryeshefja ekzekutive e Postës, Nora Rraci, theksoi se një pullë postare është shumë më tepër se një element filatelik.
“Është një mesazh që udhëton në kohë, lidh njerëz, popuj dhe ruan ngjarjet e vlerat që meritojnë të kujtohen brez pas brezi”, ka thënë ajo.
Ceremonia u mbajt në kuadër aktiviteteve për shënimin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.



