Linjë transporti falas për fshatrat e Malësisë së Tetovës

Komuna e Tetovës ka prezantuar një linjë të re transporti falas për banorët e fshatrave të Malësisë së. Banorët e Brodecit, Veshallës dhe Bozovcës do të mund të udhëtojnë pa pagesë me linjën e transportit, e cila do të niset nga fshatrat në orën 07:00 të mëngjesit, ndërsa kthimi nga qyteti do të bëhet në orën 17:30. Përurimin e kësaj linje e bëri kryetari i Komunës, Bilall Kasami, i cili gjatë orëve të para të ditës vizitoi këto vendbanime.

“Këtu nga fshati Bozovcë po promovojmë linjën e transportit falas të organizuar nga Komuna e Tetovës për fshatrat Brodec, Veshallë dhe Bozovcë. Kjo linjë do të funksionojë gjashtë ditë në javë. Ajo do të niset në orën 07:00 të mëngjesit nga fshati Bozovcë dhe do të bartë banorët e këtyre fshatrave deri në Tetovë. Po ashtu, pasdite, nga ora 17:30, do të jetë linja nga Tetova që do të kthehet për në Bozovcë. Ky është një projekt që e kemi premtuar dhe tanimë po nisim implementimin e tij. Ai do të vlejë për të gjithë banorët e kësaj zone, të cilët do të mund ta shfrytëzojnë transportin pa pagesë”, tha Bilall Kasami – kryetar i komunës së Tetovës.