Kanalizimi i hapur i shqetëson banorët e Rramanlisë, Komuna e Kumanovës i anashkalon kërkesat e banorëve (VIDEO)

Ka disa dekada që banorët e fshatit Rramanli të Kumanovës përballen me problemin e kanalizimit të hapur, që dëmton ata në mënyra të ndryshme. Ata kërkojnë nga Komuna e Kumanovës zgjidhje urgjente për problemin me këtë kanalizimim i cili në shekullin 21 ende mbetet i hapur si në mesjetë. Por, Komuna e Kumanovës dhe kryetari i saj Maksim Dimitrievski, qëndrojnë të shurdhër në kërkesat e qytetarëve të tyre, shkruan Portalb.mk.  

Banorët thonë se janë të shqetësuar për rrezikun ndaj shëndetit publik, ndotjen e ambientit dhe kushtet e vështira të jetesës që po përballen çdo ditë. Por ky fshat, nuk e ka problemin e vetëm me kanalizimin e hapur, por edhe me ujin e pishëm dhe probleme tjera infrastrukturore.   

Deri më tani është premtuar disa herë zgjidhja e këtij problemi, por në terren realisht ende nuk është marrë asnjë hap në këtë drejtim. Përveç iniciativave private nga ana e qytetarëve të cilët për nevojat e tyre kanë mbyllur disa pjesë të kanalizimit, pjesa më e madhe mbetet e hapur dhe kundërmon erë të keqe, e sidomos gjatë stinës së verës. Qytetarët ankohen se problemi është shumëvjeçar edhe pse zgjidhja është e lehtë.

Fshati Rramanli, Kumanovë | Foto: Portalb
Fshati Rramanli, Kumanovë | Foto: Portalb

Një banor i moshuar nga fshati Rramanli, tha se kundërmimi i erës është i padurueshëm.

“Nga koha që e mbaj mend jetojmë pranë këtij kanalizimi të hapur dhe askush nuk ka marrë masa konkrete. Era është e padurueshme, ndërsa gjatë verës nuk mund të hapim as dritaret nga frika për shëndetin e fëmijëve. Çdo herë që vijnë zgjedhjet na premtohet se do të zgjidhet ky problem, por sa të kalojnë zgjedhjet të gjithë zhduken”, tha ai.

Nga ana tjetër, këshilltari i Komunës së Kumanovës nga radhët e Aleancës për Shqiptarët (ASH), Huzeir Mustafa, për Portalb.mk, tha se shpeshherë është diskutuar zgjidhja e këtij problemi, por nuk ka pasur vullnet të mjaftueshëm. Ai tha se kryetari aktual i Komunës së Kumanovës, për fshatin Rramanli gjithmonë ka gjetur arsyetime për t’i ikur investimeve në këtë fshat për të vetmën arsyeje se ai ka humbur zgjedhjet në këtë fshatë.  

“Ndërkohë arsyet e prolongimit të investimeve në këtë fshat, një herë ka qenë shuma e madhe e investimeve që është kërkuar këtu, që ka qenë e kuptueshme dhe arsyetimeve të tij që ish-qeveria po e bllokon për arsyeje politike. Por me ardhjen në pushtet të qeverisë së re, përkundër kërkesës tonë që të investohet në këtë fshat, Dimitrievski nuk ka pasur vullnet dhe gjithmonë ka thënë se të gjithë investimet nuk mund të orientohen vetëm në një fshat”, u shpreh Mustafa. 

Ai shtoi se edhe kur ishte koha e investimit përmes kredisë hungareze, ka munguar vullneti i Dimitrievskit, për ta zgjidhur këtë problematik në Rramanli. Siç tha Mustafa, së fundmi edhe në Këshillin e Komunës e ka ngritur këtë problem, por Dimitrievski ka hedhur fajin te ish-ministri i Ambientit Jetësor nga radhët e BDI-së, duke aluduar te Naser Nuredini, se pse ai nuk fliste në gjuhën maqedonase por në atë angleze.  

“Ai ka përgjigje të njëjta gjithmonë dhe arsyetime të llojllojshme, por asessi vullnet që ta zgjidh problemin në fshatin Rramanli”, nënvizoi në fund Mustafa.

Kujtojmë se Komuna e Kumanovës ka marrë 5.3 milionë euro nga kredia hungareze, kurse investimi i koncentruar në vendet e banuara kryesisht me joshqiptarë.

Portalb deri te Komuna e Kumanovës, ka dërguar pyetje në lidhje me këtë problematik në fshatin Rramanli, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk janë përgjigjur.

Kujtojmë që Maksim Dimitrievski tani më ka hyrë në mandatin e tretë si kryetari i Komunës së Kumanovës, ku edhe pas tre mandateve nuk e ka parë të arsyeshme të investoj në këtë fshat.

Portalb.mk në vazhdimësi ka shkruar për brengat e banorëve të kësaj ane. Prej më shumë se 20 vitesh, banorët e fshatit Rramanli në Kumanovë jetojnë me frikën e kalimit mbi rrugën e cila kalon përmes hekurudhës ku mungon rampa, masa mbrojtëse dhe sinjalizim adekuat. Pavarësisht aksidenteve të shumta, disa edhe me pasoja fatale, institucionet kanë qëndruar të heshtur përballë këtij neglizhimi.