Evropa kundër varësisë nga SHBA, nis projekti për raketën 700 km

Evropa po përshpejton përpjekjet për të ndërtuar kapacitete të pavarura ushtarake, ndërsa gjiganti gjerman i mbrojtjes Rheinmetall ka nisur një projekt të ri për prodhimin e raketave lundruese në partneritet me kompaninë holandeze Destinus.

Sipas një raportimi të Financial Times, projekti i ri, i quajtur Rheinmetall Destinus Strike Systems, synon të ndihmojë Evropën të zvogëlojë varësinë nga sistemet amerikane të mbrojtjes dhe të mbushë boshllëqet e krijuara nga ndryshimet në politikën e jashtme të presidentit amerikan, Donald Trump.

Prodhimi i raketave pritet të nisë në fund të vitit 2026 ose në fillim të vitit 2027.

Fokusi kryesor i projektit do të jetë prodhimi i raketave lundruese dhe artilerisë balistike për klientë gjermanë dhe ndërkombëtarë. Raketa e re, Ruta Block 2, pritet të ketë aftësi për të goditur objektiva në një distancë mbi 700 kilometra.

Megjithëse kjo rreze mbetet më e ulët se ajo e raketave amerikane Tomahawk, zyrtarët evropianë e shohin projektin si një hap strategjik drejt autonomisë ushtarake.

Sipas të dhënave të zyrtarëve ushtarakë evropianë, Rusia prodhon rreth 1 mijë e 100 raketa lundruese në vit, ndërsa Bashkimi Evropian aktualisht prodhon vetëm rreth 300.

Raporti thekson se përshpejtimi i industrisë së mbrojtjes në Evropë ka ardhur edhe si reagim ndaj politikave të luhatshme të administratës Trump për mbrojtjen e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Lufta me Iranin dhe presioni mbi arsenalet amerikane kanë shtuar bindjen në Evropë se kontinenti duhet të ndërtojë kapacitetet e veta mbrojtëse.

Për Rheinmetall, kjo shënon hyrjen e parë në tregun e raketave lundruese, një sektor i dominuar deri tani nga grupi panevropian MBDA.