Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, informoi se vendi nuk ka probleme me furnizimin me kerozin dhe se aktualisht ka rezerva për 90 ditë. Nikolloski njoftoi gjithashtu hapjen e pesë destinacioneve të reja nga dy aeroportet, të cilat do të fillojnë të funksionojnë nga muaji i ardhshëm, transmeton Portalb.mk.
“Përveç faktit që furnizohen aeroporti i Shkupit dhe i Ohrit, me kerozinin tonë furnizohet plotësisht edhe aeroporti i Prishtinës dhe pjesërisht aeroporti i Nishit. Kemi rezerva për 90 ditë, edhe pse ligji parashikon 60 ditë. Në kushte kur po paralajmërohen anulime fluturimesh, ne gjatë muajit qershor planifikojmë pesë destinacione të reja nga aeroporti i Shkupit dhe i Ohrit. ‘Austrian Airlines’ do të fillojë për herë të parë të fluturojë nga Vjena drejt Ohrit. ‘Wizz Air’ do të fluturojë nga Ohri në Krakov dhe në Wrocław, dhe kemi dy destinacione të shkëlqyera turistike nga aeroporti i Shkupit: njëra është Palermo – Sicili, tjetra Alghero – Sardenjë”, tha Nikolloski.
Kujtojmë se, çmimi i karburantit për avionë (kerozina) është rritur me 122 përqind që nga fillimi i luftës me Iranin, sipas kompanisë konsulente Energex me seli në Londër. Së pari, probleme me furnizimin u raportuan në aeroportet aziatike, mdërkohë që ka vonesa të mëdha edhe në furnizimin me karburant në aeroportet në Itali.



