Kisha Ortodokse e Maqedonisë dhe Bashkësia Fetare Islame sërish pa llogari vjetore

Kisha Ortodokse e Maqedonisë – Kryepeshkopata e Ohrit (KOM-KO) dhe Bashkësia Fetare Islame (BFI) edhe këtë vit në Regjistrin Qendror nuk kanë dorëzuar llogari vjetore, me të cilën do i prezantonin rezultatet e punës së tyre në vitin paraprak, atë 2025, shkruan Prizma, transmeton Portalb.mk.

Afati për kryerjen e këtij detyrimi ligjor ishte deri më 28 shkurt. Nga Regjistri Qendror konfirmuan se dy personat juridikë nuk kanë dorëzuar llogari të tilla.

Në fakt injorimi i këtij detyrimi është një praktikë shumëvjeçare e KOM-KO dhe BFI. Nga viti 2010 deri në vitin aktual Kisha Ortodokse e Maqedonisë ka dorëzuar vetëm një llogari përfundimtare në të cilën nuk ka deklaruar të ardhura. Bashkësia Fetare Islame, nga ana tjetër, nuk ka dorëzuar as edhe një.

Ndërkohë dy institucionet shtetërore, Regjistri Qendror dhe Drejtoria e të Ardhurave Publike, me sa duket nuk janë të interesuara ta kontrollojnë punën e tyre.

Përndryshe bashkësitë fetare regjistrohen sipas Ligjit për Bashkësitë Fetare dhe Grupet Religjioze, por kontabilitetin dhe detyrimet ndaj shtetit ato i përmbushin njësoj si organizatat joqeveritare, pra sipas Ligjit për Kontabilitetin e Organizatave Jofitimprurëse.

Kjo do të thotë se ato kanë detyrim që një herë në vit të dorëzojnë llogari vjetore përfundimtare. Ato nuk janë të detyruara ta respektojnë këtë detyrim vetëm nëse vlera e përgjithshme e pasurisë ose të ardhurat vjetore të tyre janë më pak se 2.500 euro.

Hulumtimi i BIRN i realizuar vitin e kaluar vërtetoi se të dy bashkësitë fetare kanë të ardhura vjetore shumë më të mëdha nga pragu i paraparë, prandaj ato duhet ta respektojnë këtë detyrim.

Mbi bazë të të dhënave për numrin e punonjësve në vitin 2024 përllogaritjet nxorrën në pah se KOM-KO në llogarinë e saj do duhet të ketë të paktën 54.000 euro, ndërsa BFI rreth 97.000 euro, dhe atë nëse punonjësit atë vit kanë qenë të siguruar me pagë minimale.

Ligji parasheh edhe një kusht tjetër për të cilin ata do duhet të dorëzojnë llogari përfundimtare, pra që vlera e përgjithshme e pasurisë që zotërojnë nuk duhet të jetë më pak se 2.500 euro.

Por, baza e të dhënave që BIRN e publikoi vitin e kaluar nxorri në pah se KOM-KO në Kadastër ka të regjistruara mbi 14.000 prona në të gjithë vendin, ndërsa ВFI ka mbi 5.300 prona. Objekte banesore, afariste, tregtare – ndërsa disa prej tyre vlejnë edhe më shumë se 2.500 euro, por për metër katror.

Mitropoliti i Dioqezës Dibër-Kërçovë, Georgij, këto ditë tha se “bëhet fjalë për një çështje mjaft komplekse, duke e pasur parasysh kompleksitetin e sistemit tatimor dhe bashkësive fetare si subjekt juridik”. Në një intervistë për televizionin Sitel ai tha se kanë pasur nevojë për sqarim të kornizës ligjore për detyrimet tatimore dhe lehtësimet tatimore.

Duke aluduar në punonjësit e KOM-KO mitropoliti theksoi se “si priftërinjtë ashtu edhe punonjësit e kishës janë taksapagues që i përmbushin detyrimet e tyre”.

Përndryshe, pas publikimit të hulumtimit dhe bazës të të dhënave peshkopi Kliment në një paraqitje televizive tha se “presioni nga publiku po rritet dhe ndoshta do të ketë nevojë për një diskutim në lidhje me mënyrën e procedimit të llogarisë përfundimtare që duhet ta dorëzojmë”.

Në pyetjen nëse KOM-KO po e shqyrton përmbushjen e detyrimeve të saj ligjore edhe për shkak se të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit, ai shtoi “sigurisht që kjo gjë duhet të rregullohet dhe më tej duhet të mendohen efektet e kësaj barazie para ligjit”.

Mbi të gjitha kisha dhe BFI janë organizata jofitimprurëse dhe për këtë arsye janë të liruara nga shumë tatime, por detyrimi për deklarimin e të ardhurave nuk është një formalitet. Ai shërben për ta alarmuar shtetin për rastet kur, si me të gjitha subjektet jofitimprurëse, paraqitet një bazë për tatim.

Sipas Ligjit për Kontabilitetin e Organizatave Jofitimprurëse nëse KOM-KO ose BFI gjatë një viti realizojnë të ardhura më të mëdha se një milion denarë (16.000 euro) nga aktivitete ekonomike ato duhet të paguajnë tatim mbi fitimin, por vetëm një përqind të parave të fituara mbi atë shumë.

Kjo është një mundësi reale sepse komunitetet fetare japin me qira pasuri të patundshme me vlerë dhe marrin pjesë në aktivitete fitimprurëse, por kjo mbetet e paverifikueshme për sa kohë sa vazhdon “tradita” e mosdorëzimit të llogarive vjetore.