Grubit i mbaron masa e arrestit shtëpiak, kërkon edhe pasaportën

Ish-zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubit, nesër i përfundon masa e arrestit shtëpiak, pas 60 ditësh nga dorëzimi i propozim-akuzës. Ndërkohë, ai kërkon edhe kthimin e pasaportës, duke ofruar prona në vlerë mbi 335 mijë euro si garanci.

Gjykata Penale e Shkupit ende nuk ka vendosur për kërkesën, pasi pret mendimin e Prokurorisë. Ndërkaq, gjykimi për keqpërdorimet e dyshuara në Lotarinë Shtetërore vazhdon, ndërsa Grubi pritet të paraqitet në seancë pa shoqërim policor.

Prokuroria e akuzon Grubin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke pretenduar se ka mundësuar blerjen e aparateve VLT në vlerë mbi 9,7 milionë euro, ndonëse ato nuk ishin të nevojshme. Grubi i ka mohuar akuzat, duke argumentuar se vendimi ishte miratuar me votat e të gjithë 20 anëtarëve të Qeverisë dhe se synimi ishte mbrojtja e interesit shtetëror.

Rasti u hap në dhjetor të vitit 2024, pasi SHBA-ja e përfshiu Grubin në Listën e Zezë për korrupsion. Ai u largua drejt Kosovës më 15 dhjetor, ndërsa u kthye në Maqedoninë e Veriut më 23 shkurt, pas më shumë se 14 muajsh, dhe u vetëdorëzua në pikën kufitare të Bllacës.

Fillimisht u dërgua në burgun e Shutkës, por brenda pak orësh u transferua në arrest shtëpiak, me arsyetimin e organeve të sigurisë se në paraburgim i rrezikohej jeta. Vendimi nxiti reagime të shumta në opinion.