Pasojat e korrupsionit gjatë vitit 2025: Qindra vepra penale dhe mbi 23 miliardë denarë dëm, numra në letër apo luftë reale?

Në Maqedoninë e Veriut gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 290 vepra penale me elemente korrupsioni dhe 678 persona të kallëzuar, me dëm të shkaktuar që vlerësohet në mbi 23.67 miliardë denarë, këtë tregojnë të dhënat e raportit vjetor për vitin 2025 të MPB-së. Raporti thekson goditjen e katër grupeve të organizuara kriminale me veprimtari korruptive, ku janë përfshirë 120 persona fizikë dhe 18 persona juridikë. Gjatë vitit janë realizuar gjithsej 180 raste hetimore në fushën e korrupsionit, ndërsa numri i veprave penale të zbuluara ka shënuar rritje prej 40.8% krahasuar me vitin paraprak. Rritje është regjistruar edhe në numrin e përgjithshëm të rasteve të trajtuara dhe të personave të përfshirë në veprimtari kriminale, raporton Portalb.mk.

Në raport theksohet se më të shpeshta janë veprat penale të lidhura me abuzim me detyrën, korrupsion në prokurime publike, marrje dhe dhënie ryshfeti, si dhe keqpërdorime në sektorë si shëndetësia, tatimet, energjetika dhe administrata publike. Po ashtu, janë evidentuar edhe raste të pastrimit të parave, mashtrimeve dhe përvetësimeve në shërbim.

“Gjatë vitit, krahasuar me vitin e kaluar, është arritur sukses i dukshëm përmes shkatërrimit të katër grupeve të organizuara kriminale me veprimtari korruptive, për të cilat si anëtarë janë kallëzuar penalisht 120 persona fizikë dhe 18 persona juridikë, duke ndërprerë kështu zinxhirin e lidhjeve korruptive dhe aktiviteteve kriminale në sektorin e shëndetësisë, sistemin tatimor të shtetit, mjedisin jetësor dhe sektorin energjetik. Rritje e ndjeshme është shënuar edhe në numrin e përgjithshëm të veprave penale të zbuluara në fushën e korrupsionit, si dhe në numrin e personave të përfshirë”, thuhet në raport.

Janë realizuar 180 raste, në kuadër të të cilave janë zbuluar 290 vepra penale me elemente korruptive, që paraqet rritje të funksionit zbulues prej 40.8% krahasuar me vitin 2024, kur ishin zbuluar 206 vepra penale. Pas masave të ndërmarra për aktivitetet kriminale, penalisht janë kallëzuar 678 kryerës (637 persona fizikë dhe 41 persona juridikë), ndërsa dëmi material i shkaktuar vlerësohet në mbi 23.67 miliardë denarë.

Korrupsion, ryshfet. Foto e krijuar me inteligjencë artificiale në Sora/ChatGPT
Korrupsion, ryshfet. Foto e krijuar me inteligjencë artificiale në Sora/ChatGPT

Nga numri i përgjithshëm i veprave të realizuara, më të shumta janë abuzimet korruptive – 133 (prej të cilave katër në lidhje me “bashkëkryerje”, 2 për “ndihmë” dhe 1 për “nxitje”), si dhe “punë e pandërgjegjshme në shërbim” me element korrupsioni – 65 vepra penale (nga 1 për “bashkëkryerje” dhe “ndihmë”), pastaj “keqpërdorimi i procedurës së thirrjes publike, dhënies së kontratës së prokurimit publik ose partneritetit publik-privat” – 20 vepra penale (nga të cilat katër për “ndihmë” dhe 2 për “nxitje”), 14 vepra për “marrje ryshfeti” (2 për “bashkëkryerje” dhe 1 ë për “ndihmë”), 12 “dhënie ryshfeti” (nga 1 për “bashkëkryerje” dhe “ndihmë”), më pas 11 vepra penale “pastrim parash dhe përfitimesh të tjera nga vepra penale” (nga 1 për “bashkëkryerje” dhe “nxitje”), 8 “përvetësim në shërbim” (2 për “ndihmë”), 5 “marrje shpërblimi për ndikim të paligjshëm” (1 për “bashkëkryerje”), nga 4 “zbulim i sekretit zyrtar” dhe “mashtrim tatimor”, nga 3 “pengim i drejtësisë”, “dhënie shpërblimi për ndikim të paligjshëm” dhe “mashtrim në shërbim”, si dhe një numër më i vogël i veprave të tjera penale.

Tregues për rezultatet e arritura është edhe rritja e efikasitetit në fushën e abuzimeve korruptive për rreth 48%, ndërsa nivel i lartë realizimi është shënuar edhe në rastet e korrupsionit klasik, me 24% më shumë krahasuar me vitin 2024, duke u theksuar se numri i veprave të zbuluara është më i madhi në 14 vitet e fundit.

Autoritetet policore theksojnë se rezultatet janë arritur përmes intensifikimit të veprimeve operative dhe koordinimit mes njësive të ndryshme, ndërsa numri më i madh i rasteve është zbuluar nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe njësitë rajonale në Kumanovë, Strumicë, Shtip dhe Shkup.

“Numri më i madh i veprave penale korruptive është zbuluar nga Departamenti për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë – 65, më pas në rajonin e Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Kumanovë – 44, SPB Strumicë – 39, SPB Shtip – 35, SPB Shkup – 34, SPB Ohër – 27, SPB Tetovë – 24, SPB Manastir – 18 dhe SPB Veles me katër vepra penale. Në këtë pjesë theksohet se krahasuar me vitin 2024, është shënuar rritje e efikasitetit në të gjitha njësitë organizative, përveç SPB Shtip ku ka ulje të aktivitetit zbulues për 18,6%”, thuhet në raport.

Sipas MPB-së, pjesë e hetimeve janë edhe punonjës në institucione shtetërore, ndërmarrje publike dhe vetëqeverisje lokale, ndërsa në disa raste janë të përfshirë edhe zyrtarë të lartë, përfshirë drejtorë institucionesh dhe funksionarë publikë.

“Aktivitetet kriminale të këtij lloji kryhen më shpesh nga persona të punësuar në institucione shtetërore, institucione publike dhe ndërmarrje publike, persona juridikë dhe njësi të vetëqeverisjes lokale, të përfshirë në aktivitete korruptive në fushën e prokurimeve publike, bujqësisë, pylltarisë dhe ujërave, punës policore dhe doganore, shërbimeve shëndetësore, arsimit, detyrimeve tatimore, procedurave administrative, urbanizmit, dhënies së koncesioneve dhe të tjera”, thuhet në raportin e MPB-së.

Policia e Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Policia e Maqedonisë së Veriut. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në këtë kuadër, Ministria shton se si institucion kyç për zbulimin e rasteve korruptive ka punuar aktivisht në luftimin e të gjitha formave të korrupsionit, si dhe në çrrënjosjen e tij brenda vetë radhëve të saj, ku gjatë kësaj periudhe janë kallëzuar penalisht 110 të punësuar të dyshuar për 46 vepra penale korruptive.

“Aktivitetet korruptive janë të pranishme edhe në sektorë të tjerë shoqërorë, ku janë raportuar persona në cilësi të punonjësve në institucione/ndërmarrje publike – 100, drejtorë të institucioneve publike/ndërmarrjeve publike/sh.a/agjenci – 56, të punësuar në ministri/agjenci/drejtori – 55, punonjës/administrator/pronar i personave juridikë – 44, të punësuar në komuna – 21, kryetar komune – 11, policë burgu – 9, doganierë – 6, drejtorë të institucioneve korrektuese – 4, si dhe si autorë paraqiten edhe 3 avokatë, 2 noterë, 1 ambasador, 1 gjyqtar, 1 ish-ministër, 1 zëvendësministër i bujqësisë, pylltarisë dhe ujërave, 1 zëvendësdrejtor i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, etj”, thuhet ndër të tjera në raport.

Kujtojmë se sipas Raportit në hije për Kapitullin 23 të Institutit për Politika Evropiane (EPI), ndryshimet e mëparshme në Kodin Penal kanë pasur ndikim negativ në trajtimin e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë. Institucionet kryesore vazhdojnë të përballen me mungesë burimesh dhe kapacitetesh, ndërsa disa zhvillime institucionale dhe strategjike synojnë përmirësimin e sistemit antikorrupsion.

Edhe Komisioni Evropian, në raportin e fundit theksoi se Maqedonia e Veriut nuk ka bërë përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. “Korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese serioze”, thuhet në raport.