Shqipja e Sigurt në Qytet të Sigurt

Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari

Gjykata Kushtetuese në seancë të transmetuar drejtpërdrejtë (e dyta me radhë në historinë 63 vjeçare të ekzistencës së saj) i hodhi poshtë të gjitha nismat kundër disa dispozitave ligjore të Ligjit të Kundërvajtjeve lidhur me Projektin Nacional “Qytet i Sigurt”.

Në përgjithësi këto nisma i konsideronin të diskutueshëm në aspektin kushtetues faktet se, ky projekt u imponon një detyrim ligjor të gjithë qytetarëve që të kenë një numër personal telefoni, një adresë elektronike për të komunikuar dhe për të qenë të disponueshëm në rast të një kundërvajtje në trafik; se askund nuk përcaktohet që një mesazh telefonik ose komunikim elektronik duhet të jetë në përputhje me nenin 7 të Kushtetutës, dhe në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve; se të gjithë qytetarët nuk vendosen në të njëjtën pozitë, sepse sistemi zbatohet vetëm në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, se ka një zbatim selektiv territorial; se kjo krijon trajtim të ndryshëm të qytetarëve, bazuar në vendndodhjen gjeografike të tyre; se nuk është e qartë se me çfarë kriteresh janë përzgjedhur këto qytete dhe sa do të zgjasë zbatimi; dhe se kjo gjë është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse ligjet duhet të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë, pavarësisht nga rrethanat në të cilat jetojnë.

Gjyqtari raportues i çështjes nënvizoi se, Gjykata ka një praktikë të pasur kushtetuese ku nuk është iniciuar procedurë ku si shembuj përmendi edhe kontestimin e detyrimit për të instaluar kamera sipas Ligjit të arsimit fillor, ku gjithashtu u kontestua ligji në fjalë për shkak të aksesit të pabarabartë të nxënësve në internet dhe kompjuterë gjatë Pandemisë COVID-19, me çrast këto nisma janë hedhur poshtë sepse hynë në sferën e zbatimit të ligjit, për të cilën gjë Gjykata Kushtetuese nuk është kompetente.

Sipas gjyqtarit raportues, kur bëhet fjalë për (mos)përdorimin e gjuhës shqipe në mesazhet dhe njoftimet që qytetarët marrin për kundërvajtjet e kryera në trafik, nuk ka nevojë të deklarohet individualisht për secilin veprim procedural se duhet të zbatohet Ligji i përdorimit të gjuhëve sepse nuk ka asnjë dispozitë në Ligjin e Kundërvajtjeve që konteston përdorimin e gjuhëve. Ndërkaq, lidhur me zbatimin territorial të ligjit u theksua se, Ligji i Kundërvajtjeve nuk përmban asnjë dispozitë ku përcaktohet se, ai zbatohet për një, dy ose tre komuna, por se do të zbatohet për të gjithë territorin dhe se kjo çështje i përket zbatimit të ligjit ndërkaq, zbatimi i ligjeve është në kompetencë të pushtetit ekzekutiv, duke përfunduar me konstatimin se, nuk e di se çfarë do të shfuqizonim kur nuk ka një dispozitë të tillë në ligj, meqë ligji vlen për të gjithë territorin, prandaj edhe nuk ka asnjë bazë për të hapur procedurë.

Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme Toshkovski në foltoren e Kuvendit më 21 janar 2025 garantoi publikisht para të gjithë qytetarëve se çdo akt që do të lëshohet nga MPB do të jetë në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën edhe pse pyetja e deputetit ishte për mesazhet telefonike që u drejtuan qytetarëve shqiptarë (rreth 40.000), që domethënë se Ministri Toshkovski shkoi më larg se sa pyetja e parashtruar e deputetit: pyetja ishte për mesazhet telefonike kurse përgjigjja e tij ishte për aktet formale administrative.

Mirëpo, a i qëndroi besnik Ministri Toshkovski zotimit të tij publik para të gjithë qytetarëve se çdo akt formal administrativ që do të lëshohet nga MPB do të jetë në pajtim me ligjin dhe Kushtetutën?!
Duke pasur parasysh se, përdorimi i gjuhës shqipe dhe i alfabetit të saj në procedurën kundërvajtëse para organit kundërvajtës (MPB), është i një rëndësie të veçantë për qytetarët dhe shtetin duhet nënvizuar faktin se, nga dita e zbatimit praktik të këtij projekti nacional, për herë të parë në historinë 35 vjeçare të Maqedonisë së pavarur (sipas hulumtimeve në terren), aktet kryesore formale administrative në procedurën kundërvajtëse, edhe atë: urdhërpagesa kundërvajtëse, procesverbali për kundërvajtje të kryer në trafik dhe procesverbali për kontrollin e rregullshmërisë teknike lëshohen në formularë dygjuhësorë pra, në gjuhën maqedonase dhe në alfabetin e saj dhe në gjuhën shqipe dhe në alfabetin e saj.
Kjo arritje gjuhësore e zbatimit praktik për herë të parë të gjuhës shqipe dhe alfabetit të saj në procedurë kundërvajtjëse para organit kundërvajtës (MPB) ndodhi falë Rregullores për formën dhe përmbajtjen e formularit për këto tri akte, që Ministri Toshkovski e miratoi në fund të janarit të këtij viti të cilën mes tjerash e bazoi edhe në nenin 9 paragrafi 3 dhe në nenin 23 paragrafi 5 të Ligjit të përdorimit të gjuhëve duke i hapur kështu rrugë normative zbatimit praktik të gjuhës shqipe në këtë procedurë kundërvajtëse.
Andaj, i rëndësisë vitale është fakti që, Gjykata Kushtetuese sipas detyrës zyrtare nuk hapi procedurë për Rregulloren e Ministrit Toshkovski.

Duhet theksuar edhe faktin tjetër se, Rregullore krejt të njëjtë për nga forma dhe përmbajtja kishte miratuar edhe pararendësi i tij ish-Ministri i Brendshëm Spasovski në gusht të vitit 2023 (të bazuar edhe në nenin 9 paragrafi 3 dhe në nenin 23 paragrafi 5 të Ligjit të përdorimit të gjuhëve), por e cila sipas hulumtimeve në terren asnjëherë nuk është zbatuar në praktikë duke i lëshuar këto tre akte formale administrative edhe në gjuhën shqipe dhe në alfabetin e saj!
Kuptohet se merita për këtë gjë nuk është individuale vetëm e Ministrit Toshkovski por, edhe kolegjiale (solidare) e koalicionit aktual qeverisës me atë që Ministri Toshkovski megjithatë hyri në histori si Ministri i parë i Punëve të Brendshme në historinë 35 vjeçare nga pavarësia e Maqedonisë i cili me Rregulloren e tij i hapi rrugë normative përdorimit të gjuhës shqipe dhe të alfabetit të saj në procedurë kundërvajtëse para organit kundërvajtës (MPB) duke rrëzuar një monopol 35 vjeçar njëgjuhësor dhe duke dhënë edhe një shtytje të madhe që me qindra organe tjera kundërvajtëse të ndjekin shembullin e MPB si organi më i madh kundërvajtës në shtet.

Meqë, Rregullorja e Ministrit Toshkovski mes tjerash, bazohet edhe në nenin 9 paragrafi 3 të Ligjit të përdorimit të gjuhëve që parasheh se të gjitha vendimet dhe aktet e tjera që dalin nga procedurat gjyqësore miratohen dhe lëshohen në maqedonisht dhe në shqip (dispozitë kjo e cila tashmë 7-të vite nga hyrja në fuqi e Ligjit të përdorimit të gjuhëve ka një zbatim 0% në praktikë) me gjasë pritet që në të ardhmen, të rrëzohet edhe një monopol tjetër 35 vjeçar njëgjuhësor, në rastin kur kryerësi nuk do të pranojë përgjegjësi atëherë ka të drejtë që në afat prej 8-të ditëve nga dita e pranimit të procesverbalit dhe urdhërpagesës kundërvajtëse (që siç u morr vesh për herë të parë lëshohen edhe në gjuhën shqipe) personalisht ose me postë t’ia dërgojë gjykatës kompetente, me atë që ndonjë procedurë gjyqësore kundërvajtëse për herë të parë në historinë 35 vjeçare të Maqedonisë së pavarur do të udhëhiqet edhe në gjuhën shqipe dhe në alfabetin e saj në ndonjë nga gjykatat themelore të Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës, Dibrës, Kumanovës apo të Qytetit të Shkupit.

(Autori është profesor universitar i së drejtës kushtetuese në UEJL)