Zv/drejtori Limani: Ndaloni tabelat që anashkalojnë gjuhën shqipe!

Lidhur me avazin e mosrespektimit te gjuhes shqipe, te cilen si fushate te pashpallur e kane filluar disa kuadro të VMRO-së, së fundmi me ane te nje postimi ka reaguar edhe zëvendësdrejtori i Burgut “Këshanjë” të Kumanovës.
Ne vazhdim po ju sjellim ne menyre integrale postimi e zëvendësdrejtorit të Burgut “Këshanje” të Kumanovës, Ylber Limani:

“Sot pata nderin dhe përgjegjësinë qytetare të reagoj ndaj një veprimi që e vlerësoj si në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Reagova ndaj përpjekjes për vendosjen e tabelave vetëm në gjuhën maqedonase, duke anashkaluar përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, konkretisht neni 1 paragrafi 2 dhe 3, obligon institucionet shtetërore dhe publike që, krahas gjuhës maqedonase, të përdorin edhe gjuhën shqipe në shenjat dhe komunikimin zyrtar. Kjo garantohet edhe me Amendamentin V të Kushtetutës.

Respektimi i barazisë gjuhësore nuk është çështje dëshire personale, por obligim kushtetues dhe ligjor. Askush nuk është mbi ligjin dhe institucionet duhet të veprojnë në përputhje me rendin juridik dhe parimet e barazisë.”