Skandal me listat pronësore, 234 këshilltarë komunal në RMV nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor, pasojnë gjoba

Anëtarët e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) vendosën sot unanimisht të nisin procedurat kundër 234 këshilltarëve të zgjedhur në komunat në vend, të cilët nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor për të paraqitur deklaratën e pasurisë dhe interesave brenda afatit të përcaktuar me ligj, transmeton Portalb.mk.

Siç shpjegoi kryetari i Komisionit, Adem Çuçul, analiza e të dhënave elektronike tregoi se rreth një e pesta e këshilltarëve në këshillat komunale nuk e kanë paraqitur deklaratën e detyrueshme, që është shkelje e dispozitave të Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit.

Ai shtoi se ky numër nuk përfshin këshilltarët nga Komuna e Kumanovës, për të cilët, siç theksoi ai, është përcaktuar paraprakisht mosrespektimi i detyrimit dhe për të cilët tashmë janë lëshuar urdhëra përkatës kundërvajtës.

Sipas analizës së kryer nga Sektori i Kontrollit në KSHPK, këshilltarët nga 61 komuna nuk e kanë paraqitur deklaratën, prandaj Komisioni do të veprojë individualisht për secilin rast.

Për ata që nuk e paguajnë urdhrin e shqiptuar për kundërvajtje brenda tetë ditëve, do të iniciohet procedurë kundërvajtjeje para Komisionit kompetent për Kundërvajtje.

Çuçul kujtoi se KSHPK publikon rregullisht të dhëna mbi kontrollet e kryera, shkeljet e ligjit dhe gjobat e vendosura në faqen e saj të internetit, kështu që emrat e këtyre këshilltarëve do të jenë gjithashtu të disponueshëm publikisht kur të fillojnë procedurat.

Kujtojmë se softueri për verifikimin e pasurive është “vënë në funksion”, por nuk është plotësisht operacional për shkak të mungesës së integrimit me të gjitha institucionet që posedojnë të dhëna kyçe. Aktualisht, sistemi është i lidhur vetëm me disa institucione, ndërsa “procesi i integrimit me institucionet e tjera është në vazhdim”. Për më tepër, “nuk mund të përcaktohet një afat i saktë për integrimin e plotë”, çka lë të hapur paqartësinë se kur do të funksionojë sistemi në mënyrë të plotë dhe të automatizuar.

Softueri i KShPK-së kontrollon nëse zyrtarët nuk kanë deklaruar një pronë të caktuar që e posedojnë. Ky softuer është paralajmëruar që në vitin 2020 dhe po atë vit të vihej në funksion, mirëpo, vetëm në fillim të vitit 2024 është vënë në funksion.

Antikorrupsioni, i destinuar për të luftuar korrupsionin has në vështirësi të shumta për evidentimin e pronës së personave zyrtar, të zgjedhurve, të emëruarve dhe të punësuarve në sektorin publik.

Pasi ka funksionarë që nuk e paraqesin pronën e saktë, evidentimi është i vështirë. Duhet të ketë mekanizëm për të detektuar kur dyshohet për rritje enorme ose rritje mbi nivelin e të ardhurave të ndonjë zyrtari dhe krijon dyshime për punën e përditshme, ku më pas duhet të vijojë edhe hapja e procedurës për verifikim.

Ndryshe, zyrtarët që nuk e paraqesin pasurinë në Komisionin Kundër Korrupsionit marrin vetëm me gjobë. Qeveria e kaluar njoftoi se do të miratohet Ligji për prejardhjen e pasurisë, me të cilin zyrtarët do të duhet të shpjegojnë pasurinë e fituar në mënyrë disproporcionale dhe nëse nuk e bëjnë këtë, do të konfiskohen, por propozimi nga qeveria e kaluar, tashmë është zhdukur.

Pra, në drejtim të luftimit të korrupsionit duhet të jetë dhe Ligji për Prejardhjen e Pronës. Funksionarët do të vazhdojnë të kenë hapësirë më të madhe për ta fshehur pasurinë edhe për një periudhë të pacaktuar.

Në nëntor të vitit 2021 u tha se propozimi i këtij ligji ishte dërguar në Komisionin e Venedikut, pas çka, po atë muaj, do të duhej të shqyrtohej nga ekspertët vendas, por tani ky propozim ligj është zhdukur pa nam e pa nishan.