Sistemi i furnizimit me ujë në Strugë është i shkatërruar, pasi nuk është menaxhuar siç duhet, thotë profesori i Fakultetit të Ndërtimtarisë, Petko Pelivanoski. Ai, së bashku me dy ekspertë të tjerë, ka kryer vlerësim të gjithë sistemit dhe të burimeve në fshatin Shum, ku për shkak të turbullimit, Struga tre javë është pa ujë të pastër për pije.
“Konstatuam se gërmimet kanë filluar diku nga viti 2017–2018 e deri më sot. Nuk mund të themi se janë 100% shkaku i turbullimit, por 99% jemi të sigurt. Supozohet se në atë periudhë ka pasur gërmime intensive, madje disa përmendën edhe shpërthime me mina në zonat e gërmimit”, deklaroi Petko Pelivanoski – profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë, Shkup.
Pranë hapësirës së rezervuarit, në gërmime të vjetra, ekspertët kanë gjetur sasi të mëdha mbeturinash ndërtimore dhe komunale, për shkak të të cilave, sipas Pelivanovskit mund të ndodhë ndotje bakteriologjike dhe kimike e ujërave nëntokësore.
“Është shumë e rrezikshme nëse këto gropa pranë burimeve mbushen me mbeturina të tilla, si ato që kemi pranë rezervuarit. Në situatë të tillë do të detyrohemi ta braktisim burimin, edhe pse bëhet fjalë për burim shumë të fuqishëm dhe me ujë cilësor. Edhe më tej duhet të presim turbullime të caktuara për shkak të gjendjes së krijuar nga këto gërmime”, tha Petko Pelivanoski – profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë, Shkup.
Autoriteteve lokale u kanë propozuar masa afatshkurtra dhe afatgjata, si dhe me masa që duhet të ndërmerren menjëherë, si kufizimi urgjent i aktiviteteve pranë burimit Shum, kontroll i rreptë i lëvizjes dhe ndalimi i hedhjes së çdo lloj mbeturine, pastrimi i mbeturinave ekzistuese, si dhe sanimi i gërmimeve dhe gropave të thella. /Alsat.mk





