Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Penale – Shkup sot refuzoi propozimin e mbrojtjes për heqjen e paraburgimit të të pandehurve Nino Vasev dhe Nehat Nuhi në rastin “Onkologjia 2”, edhe pse u ofruan garanci pasurore me vlerë mbi 350.000 euro. Gjykata vlerësoi se rrethanat për zbatimin e masave më të buta nuk kanë ndryshuar, dhe njëkohësisht sqaroi se nuk ka kompetencë të vendosë për garanci në këtë fazë të procedurës. Në të njëjtën seancë dëgjimore u dëgjua edhe një përfaqësues i Entit Shtetëror të Revizionit, i cili shpjegoi në detaje revizionin e Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë për vitin 2021, duke theksuar dobësitë, parregullsitë dhe mospërputhjet me rregulloret ligjore dhe u përgjigj në një sërë pyetjesh nga Prokuroria, mbrojtja dhe vetë të pandehurit.
Në shpjegimin për propozimin e refuzuar për refuzimin e masës së paraburgimit gjyqtarja Sllavica Naumova-Josifovska në seancën e sotme tha se nuk janë ndryshuar rrethanat në procedurë që të lejojnë zbatimin e masave më të buta.
“Propozimi i mbrojtjes për heqjen e masës së paraburgimit dhe zëvendësimin e saj me arrest shtëpiak nuk pranohet në këtë fazë të procedurës, duke pasur parasysh se nuk ka pasur rrethana të ndryshuara që tregojnë se i njëjti qëllim për të cilin është caktuar masa e paraburgimit mund të arrihet me një masë më të butë, përkatësisht konsiderohet se arsyet për të cilat është caktuar masa e paraburgimit dhe më pas është zgjatur vetëm në përputhje me nenin 165, paragrafi 1, pika 1 e Kodit të Procedurës Penale në lidhje me dy të pandehurit ende ekzistojnë, aq më tepër që këshilli penal i gjykatës shqyrton nevojën për zgjatjen e saj çdo 30 ditë” tha gjyqtarja.
Në lidhje me garancinë pasurore të ofruar, gjykata sqaroi se nuk ka kompetentë të vendosë për garancionin në këtë fazë të procesit.
“Në lidhje me dispozitën e nenit 154 të KPP , kompetenca për vendimmarrje të garancisë pas konfirmimit të aktakuzës është e këshillit nga neni 25 paragrafi 5 i KPP, prandaj këshilli gjyqësor nuk ka autoritet në pajtim me KPP-në për vendimmarrje për garancinë gjatë procedurës, megjithatë palët nuk e humbin të drejtën se një propozim të tillë sërish do ta xjerrin para këshillit gjyqësor”, plotësoi ajo.
PP më parë u shpreh negativisht në këtë kërkesë.
Në gjyqin e sotëm dëshmoi përfaqësuesi i Entit Shtetëror të Revizionit, i cili në pyetjen e Prokurorisë detajisht sqaroi si dhe pse është kryer revizioni në Klinikën universitare për Radioterapi dhe Onkologji (KURO) për vitin 2021 dhe theksoi dobësi dhe parregullsi me dispozitat ligjore.
Ai u përgjigj edhe në pyetjet e kryqëzuara të mbrojtjes dhe në pyetjen e të pandehurve Nino Vasev dhe Nehat Nuhi, të cilat lidheshin me rolet, kompetencat dhe praktikat në punën e klinikës.
Në pyetjen e mborjtjes nëse e dinte se për ilaçet që janë furnizuar ekzistonte kërkesa për dërgesë të parakohshme, dëshmitari tha se “Nuk kemi marrë qëndrim në pjesën e komunikimit mes Klinikës dhe operatorëve ekonomik në pjesën e këtyre kërkesave për dërgesë të parakohshme”.
Lidhur me faktin se gjatë vitit 2021, mjekët vendosën se cilët pacientë do të merrnin terapi biologjike, për të cilën drejtori mjekësor dha miratim, kur u pyet nëse ishte në dijeni se Dr. Vasev dhe Nuhi trashëguan praktikën që kishte qenë në fuqi për një periudhë të gjatë kohore më parë, dëshmitari u përgjigj se ata analizuan vetëm periudhën kur ishin në detyrë.
Ai iu përgjigj pozitivisht pyetjeve nëse e njihte strukturën organizative të Klinikës dhe kompetencat e Bordit të Drejtorëve.
I pyetur nëse ishte në dijeni që Bordi i Drejtorëve miratoi llogarinë përfundimtare dhe raportet e tjera financiare, ai u përgjigj se “llogaria përfundimtare u dorëzua dhe u nënshkrua nga drejtorët e Klinikës”.
Për furnizimet publike tha se ESHR e ka rishikuar “gjithë procesin” dhe se “nuk kemi vërejtje për planin vjetor për furnizimet publike, nuk ke shënuar rezultate dhe nuk kemi dhënë rekomandime”.
Kur u theksua se ESHR në raport nuk ka cituar një ligj konkret që e ndalon furnizimin e ilaçeve në listë, ai shpjegoi: “Në përputhje me Ligjin për Furnizime Publike, pa u kryer një procedurë, furnizimi i çdo mallrave, pune ose shërbimi është i ndaluar”, duke shtuar se ESHR po i referohej “Nenit 5, parimit të konkurrencës”.
Kur u pyet nëse ishte në dijeni se praktika e furnizimit të ilaçeve në këtë mënyrë ishte vendosur prej kohësh dhe se ESHR kishte tashmë një rekomandim në këtë drejtim, dëshmitari tha: “Ky rekomandim edhe në momentin e kryerjes së rebizionit nuk ishte zbatuar”.
Në pyetjen e të akuzuarit Nikolla Vasev për këtë, “gjatë uljes së asisë së ilaçit kur arrin në zero, ne nuk mund ta përdorim mundësinë ligjore të një rritjeje prej 20 për qind të sasisë së ilaçit sepse ne nuk e bëmë furnizimin, por Ministria e Shëndetësisë, a jeni në dijeni të kësaj?”, dëshmitari u përgjigj, “20 për qind rregullohet me Ligjin për Furnizime Publike, neni 119, i cili rregullon ndryshimet dhe plotësimet e marrëveshjeve”, për të cilën Vasev shtoi se ata nuk mund ta përdornin këtë mundësi sepse nuk e shpallën ata tenderin, por Ministria e Shëndetësisë.
Në pjeën për protokollet mjekësore, Vasevi pyeti nëse dihej që vetëm mjekët vendosin se cili pacient duhet të marrë terapi biologjike, për të cilën dëshmitari u përgjigj: “Ne e dimë, kjo është pikërisht ajo që thuhet në raport – mjeku vendos, drejtori miraton”.
Kur Vasev pyeti për rritjen e buxhetit për vitin 2023, dëshmitari shpjegoi se ESHR mori parasysh se “në bashkëpunim me Fondin, është siguruar një shumë më e lartë e kompensimit të kushtëzuar të miratuar, e cila pritet të zvogëlojë detyrimet e ndërmarra, si dhe furnizimin e terapisë biologjike në sasi më të mëdha”.
I akuzuari Nehat Nuhi pyeti nëse Ministria kishte bërë një furnizim pa pëlqimin e Fondit, por Prokuroria kundërshtoi supozimin dhe pyetja nuk u lejua.
Nuhi kërkoi informacion nëse ESHR kishte konstatuar ndonjë kërkesë të paraqitur për rritje të kompensimit me kusht, dhe dëshmitari shpjegoi se “nga ana e Klinikës në vitin 2021, deri te Fondi janë dorëzuar këekesa dy herë, edhe atë në janar të vitit 2021, u dorëzua një kërkesë për shumën prej 1 miliard e 503 milionë e 408 mijë denarë dhe në korrik të vitit 2021 në shumën prej 797.568 mijë denarë. Fondi, pas shqyrtimit të kërkesave, miratoi një buxhet për kompensim me kusht në shumën prej 481.589 mijë denarë, kjo është deklaruar si një situatë faktike dhe ne nuk kemi prononcuar, as nuk kemi qenë në gjendje të dimë pse Fondi nuk i ka miratuar kërkesat e Klinikës në tërësi”.
Së fundmi, në një pyetje tjetër nga Prokuroria, dëshmitari përmbledh: “ESHR ka shprehur një mendim të pavolitshëm në lidhje me vërtetësinë dhe objektivitetin e raporteve financiare dhe një mendim të pavolitshëm në lidhje me përputhshmërinë e transaksioneve financiare me legjislacionin përkatës”.
Gjyqimi vazhdon më 3 mars me dëgjimin e dëshmitarëve me propozim të Prokurorisë.
Në rastin “Onkologjia 2” , Vasev dhe Nuhi akuzohen se në periudhën midis viteve 2018 deri 2022, kanë siguruar ilaçe në mënyrë të paligjshme, i kanë fshehur ato përmes tenderëve fiktivë dhe kanë përvetësuar një pjesë të terapisë, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit me gati 36 milionë euro. Të dy të akuzuarit mohojnë fajësinë dhe pretendojnë se procesi është i motivuar politikisht.
Përveç këtij rasti, në vijim është edhe procedura “Onkologjia 1”, në të cilën Vasevi dhe dy mjekë të tjerë akuzohen për trajtim neglizhent të pacientëve.





