Murtezani: Ali Ahmeti si Baba Vangja – sot, neser, pasnesër do t’ketë zgjedhje!

“Ali Ahmeti mbrëmë në Zhelinë u shfaq në rolin e Babë Vangjës: Sot, nesër, pasnesër do të ketë zgjedhje, në pranverë ose në vjeshtë, e BDI-ja do të rikthehet në pushtet. E njëjta narrativë që përsëritet sa herë një parti i afrohet fundit politik.

Sa për akuzat se VLEN hesht sepse “Mickoski na jep detyrat dhe në mbrëmje na i kreh veshët”, këtë e thotë pikërisht njeriu që për më shumë se dy dekada ishte pjesë e pushtetit dhe heshti në momentet më të rënda për shqiptarët.

Në kohën e qeverisjes së BDI-së ndodhën Enciklopedia që fyente shqiptarët, projekti monoetnik “Shkupi 2014”, rrahjet e shqiptarëve në autobusë e stadiume, tragjedia e Almirit, djegia e pronave shqiptare dhe shumë padrejtësi të tjera. Po në atë periudhë ndodhën edhe rastet Sopoti, Brodeci, Alfa, Monstra, Harun Aliu dhe Kumanova.

Përgjegjësia politike për këto ngjarje bie mbi pushtetin e asaj kohe, ku BDI ishte pjesë përbërëse dhe Ali Ahmeti ishte figura kryesore politike shqiptare. Prandaj, para se të akuzojë të tjerët për heshtje, Ali Ahmeti duhet të japë llogari për heshtjen e tij kur shqiptarët kërkonin zë, mbështetje dhe drejtësi.

Trimëria nuk matet me fjalime nga opozita dhe as me parashikime zgjedhjesh. Trimëria matet me gatishmërinë për të mbrojtur qytetarët kur je në pushtet. Përndryshe, mbeten vetëm fjalët, ndërsa përgjegjësia politike nuk mund të fshihet pas miteve të ndërtuara për dekada.”

*Status facebook i perfaqesuesit te larte te VLEN-it z.Hasim Murtezani