Ecuria e ndërmarrjeve të mëdha industriale kineze vazhdoi rimëkëmbjen, mbështetur nga një sërë politikash qeveritare. Nga janari në nëntor, të ardhurat operative të ndërmarrjeve të mëdha industriale arritën në 123.48 trilionë juanë (rreth 17.18 trilionë dollarë amerikanë), rreth 1.8 për qind më shumë në baza vjetore, bëri të ditur të premten Zyra Kombëtare e Statistikave (NBS), citon “Xinhua”.
Vetëm në nëntor, të ardhurat operative të ndërmarrjeve kryesore industriale në Kinë, nga një rënie prej 0.2 për qind në tetor, patën rritje me 0.5 për qind në baza vjetore, sipas të dhënave.
Zyrtari i NBS-së, Yu Weining, ia atribuoi përmirësimin zbatimit të politikave ekzistuese dhe një pakete masash mbështetëse, duke vënë në dukje se prodhimi industrial në nëntor regjistroi rritje të qëndrueshme.
Gjatë 11 muajve të parë të vitit, fitimi i kombinuar i ndërmarrjeve të mëdha industriale arriti në 6.66 trilionë juanë, një rënie prej 4.7 për qind në baza vjetore. Megjithatë, politikat mbështetëse, duke përfshirë përmirësimet në shkallë të gjerë të pajisjeve dhe programet e tregtisë së mallrave të konsumit, vazhduan të tregojnë efektivitet në nëntor dhe fitimet e industrive të lidhura u rritën me shpejtësi.
Për shembull, fitimi i industrisë së prodhimit të pajisjeve speciale u rrit me 36.7 për qind në baza vjetore, ndërsa ai i industrive të lidhura me pajisjet elektroshtëpiake, dekorimin e shtëpisë dhe produktet për kuzhina e banja pati po ashtu rritje të shpejtë.
Përveç kësaj, fitimet e industrive prodhuese të nivelit të lartë, inteligjent dhe të gjelbër dëshmuan përmirësim të shpejtë në nëntor. Prodhimi i pajisjeve optoelektronike dhe prodhimi i pajisjeve të lidhura me hapësirën ajrore patën rritje të fitimeve të tyre përkatësisht me 41.1 për qind dhe 14.3 përqind në baza vjetore.
Fitimi i industrisë së prodhimit të pajisjeve inteligjente u rrit me 90.3 për qind. Industria e prodhimit të baterive litium-jon gjithashtu pati fitime më të larta.