Shënohet 53-vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës

Sot shënohet 53-vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Universiteti i Prishtinës është universiteti më i madh në Kosovë dhe njëri nga më të mëdhenjtë në rajon. Viteve të fundit, UP-ja renditet ndër universitetet më të mira të rajonit.

UP është anëtar i Shoqatës së Universiteteve Evropiane dhe ka bashkëpunim me universitete dhe institucione perëndimore evropiane dhe amerikane.

UP u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969. Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe sidomos për kombin shqiptar.

Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë , më 15 shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe data e 15 shkurtit u shpall Ditë e Universitetit të Prishtinës.

Në përbërje të Universitetit të Prishtinës të posathemeluar ishin këto fakultete me seli në Prishtinë: Fakulteti Filozofik, Fakulteti Juridiko-Ekonomik, Fakulteti Teknik dhe Fakulteti i Mjekësisë. Tani Universiteti i Prishtinës i ka 14 fakultete.

Ndërkaq, me hyrjen në fuqi të Statutit të Universitetit, më 9 korrik 2004, të drejtat dhe përgjegjësitë e studentëve dhe të personelit të Fakultetit të Mësuesisë dhe të shkollave të larta pedagogjike u bartën në Fakultetin e Edukimit.

Universiteti i Prishtinës i ka këto njësi akademike:

Fakultetin Filozofik
Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore
Fakultetin e Filologjisë
Fakultetin Juridik
Fakultetin Ekonomik
Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe të Arkitekturës
Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike
Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike
Fakultetin e Mjekësisë
Fakultetin e Arteve
Fakultetin e Bujqësisë
Fakultetin e Shkencave Sportive
Fakultetin e Edukimit
Fakulteti i Arkitekturës