Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka shkuar me biçikletë në hapjen e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Siç shihet në fotot e publikuara nga vetë ai në rrjetet sociale, atë e kanë shoqëruar dhe kolegët të cilët kanë lëvizur me biçikletë.
“Duke ecur me biçikletë për në OKB, për të vënë dukje rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe promovimin e ndërgjegjësimit për mjedisin”- ka shkruar Abazoviq krahas fotove të postuara në Twitter.
Sakaq në njoftimin e Qeverisë së Malit të Zi, thuhet se Abazoviq, me lëvizjen e tij simbolike ka dashur të theksoj rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe domosdoshmërinë e zhvillimit dhe promovimit të vetëdijes ekologjike në botën moderne.
Këtë javë liderët e gjithë vendeve të botës do të bëhen pjesë e diskutimeve në sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.