Borell në takim jozyrtar me liderët rajonal nga Ballkani Perëndimor

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe nënkryetar i Komisionit Evropian, Zhosep Borell, dje ka organizuar drekë joformale me liderët e Ballkanit Perëndimor, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Këto tubime joformale mbahen dy herë në vit në Bruksel dhe Nju-Jork dhe shërbejnë si një mundësi joformale për të shkëmbyer mendime mbi sfidat në rajon dhe për të ardhmen evropiane të rajonit, kumtoi BE-ja.

Diskutimi i djeshëm u fokusua në ndikimin global dhe rajonal të luftës së paligjshme dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës. Borell dhe liderët nga Ballkani Perëndimor diskutuan se si të trajtohen së bashku pasojat e dëmshme të kësaj lufte në çmimet e ushqimeve dhe energjisë dhe në stabilitetin dhe sigurinë në Evropë dhe në mbarë botën.

Borell theksoi mbështetjen që BE-ja i jep Ballkanit Perëndimor për të forcuar sigurinë e energjisë dhe për të trajtuar kërcënimet hibride, duke përfshirë manipulimet e huaja dhe ndërhyrjen me informacione kibernetike, thuhet në deklaratë.

BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do të vazhdojnë të qëndrojnë së bashku në përballjen e sfidave që po imponon në nivel global lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës. BE-ja e ndërlidh plotësisht Ballkanin Perëndimor me nismat e saj për zbutjen e luftës.