10 vjet nga fillimi i dialogut me BE-në për liberalizim vizash

Që nga koha kur ka filluar dialogu me BE-në, Kosovës i janë vendosur shumë kushte për t’i përmbushur, teksa ende nuk ka fituar liberalizimin e vizave, shkruan lajmi.net.

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të presin në radhë të gjata para ambasadave, qoftë edhe për periudha të gjata duke marrë parasysh kërkesat e mëdha për viza.

Deri më sot, pothuajse secila qeveri që kishte ardhur në pushtet i ka premtuar qytetarëve se do të ndodh liberalizimi i vizave, por për një arsye apo tjetrën, kjo nuk ka ndodhur ende.

Kohë pas kohe, Kosovës i janë vënë kushte të ndryshme nga Bashkimi Evropian me premtimin se si “shpërblim” do të marrin liberalizimin e vizave, siç është çështja e demarkacionit me Malin e Zi, e cila edhe pasi u votua, BE-ja nuk mbajti premtimin për liberalizim vizash.

Instituti EPIK ka publikuar një grafikë, ku tregon se Kosova tashmë ka mbushur dhjetë vjet prejse po dialogon më BE-në, teksa ka radhitur vitet sa u janë dashur shteteve të tjera.

Gjeorgjisë i janë dashur katër vjet, Moldavisë e Ukrainës gjithashtu katër vjet. Shqipërisë dhe Bosnjë e Hercegovinës nga tre vjet dialog, teksa Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut vetëm dy vjet dialog.