Gazeta e njohur gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung, në një shkrim për protestat në Shqipëri, shkruan se Vuçiç dhe Erdogan kanë dalë në mbështetje të Edi Ramës, ndërkohë që lëvizjen studentore po e mbështesin tashmë edhe mjekët dhe profesorët.
“Të enjten presidenti serb e vlerësoi Ramën si “një nga asetet më të mëdha të Shqipërisë”. Pasi policia shqiptare përdori për ditë me radhë gaz lotsjellës, autobote uji dhe shkopinj gome kundër studentëve, Vuçiç deklaroi që të mërkurën se Rama nuk kishte vepruar me ashpërsi të mjaftueshme. Sipas tij, Rama kishte humbur kohë duke u përpjekur t’i qetësonte protestuesit. Vuçiç e paralajmëroi Ramën se zgjedhjet e parakohshme mund t’i kushtonin pushtetin.
Rama mori mbështetje edhe nga udhëheqësi i Turqisë. Të hënën, Recep Tayyip Erdoğan i kishte shprehur mbështetjen e tij: një avion ushtarak turk solli në Tiranë disa autobote të rinj uji,” shkruan gazeta.
“Ajo që nisi si protestë studentore po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një lëvizje të gjerë qytetare. Të premten, mjekët nisën një marshim proteste drejt zyrës së kryeministrit për të shprehur mbështetjen e tyre për demonstratat.
Në një manifest të përbashkët, të publikuar të martën, më shumë se 900 pedagogë dhe profesorë janë rreshtuar aktivisht në krah të studentëve. Ata kërkojnë gjithashtu dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kalimtare neutrale, me qëllim uljen e tensioneve në vend. Apeli i tyre u drejtohet edhe policisë, edhe protestuesve, duke u kërkuar të mos përdorin më dhunë,” thekson media e njohur gjermane.



