Zvicra nuk kalon, Portugalia e eliminon

Zvicra është mposhtur me rezultat të thellë nga Portugalia në kuadër të 1/8-ës së finales në kuadër të Kupës së Botës “Katar 2022”.

Portugezët ishin më të mirë që nga pjesa e parë, ku vetëm pas 17 minutash lojë arritën që të shënojnë me anë të Goncalo Ramos.

26 minuta më vonë, ishte mbrojtësi më i vjetër në këtë kampionat, 37-vjeçari Pepe, ai që e dyfishoi epërsinë e Portugalisë, që ishte edhe rezultati i pjesës së parë.

Me të nisur pjesa e dytë, Ramos shënoi golin e dytë personal në këtë ndeshje, ku shënoi për 3-0, ndërsa Guerreiro katër minuta më vonë, në të 55-tën shënoi për rezultatin 4-0.

Akanji tre minuta më vonë ngushtoi epërsinë në 4-1, por Ramos kompletoi het-trikun në minutën e 67-të për rezultatin 5-1.

Ndërsa, për rezultatin përfundimtar u përkujdes Leao, i cili shënoi një gol të bukur nga distanca.

Portugalia në fazën tjetër do të ndeshet me Marokun, i cili e eliminoi Spanjën me anë të penaltive.