Zjarrfikësit 40 orë pa ndërprerje në terren!

Sindikata e pavarur e zjarrfikësve pranë Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë bën të ditur se çdo ditë marrin njoftime për shkelje të të drejtave të marrëdhënies së punës në kushte kur zjarrfikësit luftojnë me shuarjen e zjarreve në shtet. Në kumtesën drejtuar mediave, si shembull theksojnë Komunën e Rankovcit, ku ende nuk ka turn të tretë të zjarrfikësve, e për pasojë disa zjarrfikës duhet të punojnë edhe nga 40-të orë pa ndërprerë. Situata të ngjashme ndodhin edhe në vende tjera nëpër shtet, shkruhet në komunikatë. TV21 foli me sekretarin gjeneral të Sindikatës, Bobi Vlejanovski, i cili nuk deshi që në këtë periudhë të vështirë të hyjë në detaje të problematikave, por shprehet se do të vazhdojnë të luftojnë me flakët deri në fund, e pas tejkalimit të gjendjes, të ulen dhe të shqyrtojnë mangësitë dhe problemet që kërkojnë zgjidhje.

“Dua të përcjell fjalët e kolegëve të mi që thonë, se pavarësisht asaj që punojnë më shumë se nga 40 orë në terren, as nuk do ta lëshojnë vatrat e zjarrit, do të mbeten aty deri në fuqitë e fundit që kanë. Ajo që dërguam në opinion si Sindikatë e që na brengosë është se kërkojmë, duam t’u themi se janë njerëz të thjeshtë, se të njëjtët duhet të trajtohen ashtu siç i trajton çdo shoqëri dhe se këta njerëz do ta japin maksimumin përskaj të gjitha problemeve dhe asaj që u ndodh në këtë profesion, e problemet janë të mëdha, mungesë dhe pajisje të vjetra, numër i vogël i të punësuarve, pajisjet mbrojtëse janë ashtu siç janë”, pohoi Bobi Veljanovski, sekretar gjeneral i Sindikatës së Pavarur të zjarrfikësve.