Zidane e lë anash Bale, s’është i kënaqur me uellsianin

E përditshmja spanjolle Marca shkruan se nuk është aspak rastësi që sulmuesi anësor uellsian Gareth Bale është lënë rregullisht jashtë skuadrës së Real Madridit sa ka qenë trajner Zinedine Zidane.

Trajneri francez Zinedine Zidane nuk është i lumtur me punën që Gareth Bale e bën në seancat stërvitore dhe ai beson se uellsiani nuk ka qenë duke i bërë stërvitjet që ishte udhëzuar t’i bënte për t’u rikuperuar nga lëndimi i kyçit të këmbës, transmeton Gazeta Express.

Bale nuk është ftuar në skuadrën e Real Madridit që nga 22 janari, dhe përderisa ai mungoi në ndeshjen kundër Valladolidit për shkak se ishte i lënduar, mungesa në ndeshjet kundër Real Zaragozës, Atletico Madridit dhe Real Sociedadit ka ardhur vetëm si pasojë e vendimit të Zidane.

Marrëdhënia mes dyshes Zidane – Bale është ftohur sërish, gjë që nuk është e re për ata të dy.

Zidane dhe Bale kanë pasur probleme mes vete që kur francezi u kthye në pozitën e trajnerit në kryeqytet në mars të vitit 2019, mirëpo gjendja aktuale e marrëdhënies është po aq e keqe sa gjatë verës, kur ishte tentuar shitja e Bale.

Trajneri kishte pranuar ta përdorte Bale-n nëpër ndeshje pasi që Real Madridi nuk arriti ta shiste atë gjatë afatit kalimtar të verës dhe madje i besoi atij mjaft shumë gjatë fillimit të sezonit. Megjithatë, që nga atëherë, ky besim është zbehur.

Por, Zidane nuk e ka përjashtuar mundësinë që Bale ta fitojë këtë besim sërish. Uellsiani do të mundë ta fitojë një vend në formacion të parë nëse bën përpjekje më të mëdha në seancat stërvitore.