Abidal: S’është e lehtë t’ia rinovosh kontratën Messit

Drejtori sportiv i Barcelonës, Eric Abidal, ka thënë se ai shpreson që Lionel Messi do ta rinovojë kontratën e tij me klubin katalonas, mirëpo insistoi se një gjë e tillë s’do të jetë lehtësisht e arritshme.

Spekulimet se Lionel Messi mund të largohet nga Barcelona në fund të këtij sezoni filluan pas një zënke publike mes argjentinasit dhe Eric Abidalit këtë javë. Abidali kishte thënë se lojtarët s’punuan mjaftueshëm sa ishte Ernesto Valverde trajner dhe kjo e solli shkarkimin e trajnerit, transmeton Gazeta Express.

Kjo deklaratë e Abidalit s’i kishte pëlqyer aspak Messit, i cili reagoi në Instagram duke thënë se drejtuesit duhet të marrë vetë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe se Abidali duhej të kishte përmendur emra e jo t’ua kishte njollosur emrin të gjithëve.

Intervista e Abidalit për Mundo Deportivon dhe reagimi i Messit kishin nxitur spekulimet se Messi do të largohej pa asnjë cent nga Barcelona këtë verë, pasi që një klauzolë në kontratën e tij që vlen deri në vitin 2021 ia mundëson argjentinasit të largohet çdo verë edhe pa dëshirën e klubit.

Të shtunën, e përditshmja katalonase Mundo Deportivo e publikoi pjesën e dytë të intervistës me Abidalin, i cili u pyet për tentimet e Barcelonës për ta rinovuar kontratën e Messit, e cila skadon në qershor të vitit 2021.

“Pyetja duhet t’i bëhet atij, shpresoj se do të rinovojë. Leo ka thënë se Barcelona është gjithçka për të, se ai dëshiron të qëndrojë këtu. Ne jemi duke folur për lojtarin më të mirë në botë dhe nuk është e lehtë t’ia rinovosh kontratën një lojtari të tillë”, ka thënë Abidal.

Sky Sports ka raportuar se Messi është i gatshëm ta rinovojë kontratën me Barcelonës, megjithatë ai preferon ta zgjasë kontratën vetëm për nga një sezon çdo vit, e jo ta pranojë kontratën e përjetshme që i ishte propozuar nga presidenti Josep Maria Bartomeu.