Ziadin Sela do ti takojë veç e veç Bilall Kasamin dhe Afrim Gashin

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela për sot dhe nesër ka caktuar takime veç e veç me dy liderët e partive tjera, me Bilall Kasamin e Lëvizjes Besa dhe Afrim Gashin e Alternativës, mëson in7 nga burime brenda Aleancës për Shqiptarët.

Takimi me Kasamin mësohet se do të realizohet gjatë ditës së sotme, ndërsa me Gashin pritet të takohet nesër. Temë e takimeve sipas të gjitha gjasave do të jetë aktualiteti i krijuar së fundmi rreth mundësive për arritjen e një koalicioni trepalësh.

Nga Aleanca për Shqiptarët gjatë ditës së sotme njoftuan se janë duke bërë përpjekje maksimale për arritjen e një koalicioni fitues në zgjedhje, duke mos saktësuar se me cilën nga këto dy parti do të arrijnë marrëveshjen ose nëse eventualisht do të mund të arrihej një koalicion trepalësh.

Gjithçka, siç mëson in7, do të kuptohet pas këtyre dy takimeve të Ziadin Selës me krerët e partive tjera. Do të shihen dhe analizohen të gjitha mundësitë, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje të përshtatshme për të dyja palët, ndërsa për opinionin e gjërë më shumë detaje do të jepen pas ditës së nesërme.