Zhvillimi njerëzor, Maqedonia e Veriut e fundit në rajon

Maqedonia e Veriut vazhdon të mbetet në vendet e fundit në rajon lidhur me zhvillimin njerëzor. Sipas raportit të fundit të UNDP-së, vendi madje është i treti nga fundi në Evropë ndërsa i 82 në botë, nga gjithsej 189 vendet e përfshira në raport. Para Maqedonisë janë Sllovenia në vendin 24, Greqia në të 32, Kroacia në të 46, Mali i Zi dhe Bullgaria në vendin e 52, Serbia në të 63, Shqipëria në të 69 ndërsa Bosnja e Hercegovina në vendin e 75.  Përfaqësuesi i UNDP-së për Evropë dhe Euro Azi, Ben Sjel, tha se indeksi për Maqedoninë tregon se në cilat çështje konkrete duhet të punojë vendi.

Nevojitet që resurset të investohen në vende të duhura, jo vetëm të prodhoni diploma, por të prodhoni arsim të mirë, njerëz me aftësi. Jo vetëm të ndërtoni spitale por tu mundësoni njerëzve të jetojnë më gjatë dhe të kenë jetesë produktive. Këto janë ato sfida dhe për këtë është edhe raporti- tha Ben Sjel, UNDP.

Përfaqësuesja e UNDP-së në Shkup, Narine Sahakjan, deklaroi se sipas raportit, dallimi mes vendeve që janë në zhvillim dhe atyre me zhvillim të lartë njerëzor është 19 vite. Marjan Petreski nga Finance Think, deklaron se janë disa indikator që lidhen me pabarazinë në Maqedoninë e Veriut.

Kur flasim për pabarazitë në mundësi, kryesisht flasim për qasje jo të barabartë në arsim, pabarazi në kualitetin e arsimit, pabarazi në çështjet sociale, në mbrojtjen shëndetësore, pabarazi në tregun e punës, kualitet të ndryshëm në vendet e punës të cilat janë të arritshme posaçërisht për njerëz të rinj dhe pabarazitë në qasjen deri tek drejtësia- pohoi Marjan Petreski, Finance Think.

Presidenti, Stevo Pendarovski deklaroi se, raporti i UNDP-së duhet të merret me seriozitet.

Na duhet sistem i cili do të prodhojë dituri dhe aftësi dhe jo vetëm diploma. Të nderuar nëse nuk marrim hapa serioz në këtë drejtim, në vend që ta çojmë Maqedoninë e Veriut mes vendeve më të zhvilluar të Evropës ne do shndërrohemi në eksportues të forcës së re relativisht të lirë. Që të bëjmë një hap para dhe me zgjidhje ne duhet të ofrojmë vizion të freskët i cili do të jetë ambicioz por i bazuar në vlerësim real të kapaciteteve dhe resurseve me të cilat disponojmë si shtet- deklaroi Stevo Pendarovski.

Maqedonia mban pozita të mira vetën në përfaqësimin gjinor, ku sipas raportit të UNDP-së, vendi ndodhet në vendin e 36-të.