Zhvillimet e fundit mes Bullgarisë dhe Maqedonisë! Euroambasdori Gir: Janë për tu lavdëruar

Euroambasadori Dejvid Gir, deklaroi se janë për tu përshëndetur zhvillimet e fundit që po ndodhin Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Tha se zhvillimet janë pozitive dhe inkurajuese për tejkalimin e dallimeve mes dy shteteve fqinje gjë që do të mundësonte hapjen e negociatave qasëse të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

“Ne gjithmonë kemi bërë thirrje që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të bisedojnë me qëllimin e vetëm që t’i tejkalojnë sa më shpejtë dallimet dhe t’i nisim negociatat aderuese me Maqedoninë e Veriut. Ajo që pamë javëve të kaluara është inkurajuese dhe përshëndesim përpjekjet nga të dyja anët të cilat rezultojnë në hapjen e negociatave aderuese sa më parë. Megjithatë, deri sa të ndodh kjo gjë, mendoj se është shumë e nevojshme që të gjithë pjesëmarrësit të fokusohen në procesin e reformave dhe implementimin e tyre, që gjë do ta afrojë vendin drejt BE-së. Nuk duhet të presim deri sa të fillojnë negociata, është e rëndësishme që të avancohen reformat sepse sa më shpejtë të ecë implementimi i tyre, aq më e shkurt do të jetë rruga drejt BE-së”, tha Dejvid Gir, euroambasador.